Demat shfrenohen, trajneri i lë pushim se do të komentojë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fitorja në derbin e së premtes me Tiranën u dha mundësi të kuqve të kryeqytetit që të festojnë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës.
Pas suksesit, presidenti Demi organizoi një festë për ekipin në një nga "pub"-et e kryeqytetit. Pjesëmarrja ka qenë e konsiderueshme, ku, përveç lojtarëve, stafit, drejtuesve, të pranishëm ishin edhe figura të ndryshme të politikës, si dhe miq e dashamirës të presidentit e lojtarëve.
Mbrëmja ka shërbyer jo vetëm për të festuar suksesin në derbi, por edhe si një tjetër mundësi për krijimin e një afrimiteti më të madh mes palëve.
Ish-trajneri Starva, aktualisht këshilltar i presidentit Gaz Demi, sapo ka hyrë është takuar me trajnerin Andrea Agostineli dhe për disa minuta ata kanë biseduar së bashku. Prania e të ftuarve VIP, kryetari i Parlamentit, Ilir Meta, apo edhe ministri Blendi Klosi, e ka bërë disi më zyrtare pjesën e parë të festës.
Në këtë mbrëmje nuk ka pasur rregulla, që kishin të bënin me mbajtje regjimi. Lojtarët kanë konsumuar pije sipas dëshirave të tyre. Birrat kanë qenë të preferuarat e pijedashësve, ndërsa besimtarët kanë konsumuar pije freskuese.
Festa ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit, por jo të gjithë futbollistët kanë qenë të pranishëm, pasi ka pasur persona që kishin marrë leje, apo kishin preferuar që gëzimin ta kalonin me familjet. Shfrenimi i "demave" në "pub" ka ndodhur pas largimit të trajnerit Agostineli dhe presidentit Demi, gjë e cila bëri që lojtarët të ishin më të lirshëm.
"Qershia mbi tortë" e mbrëmjes kanë qenë kërcimet e mbrojtësit nigerian, Sodiq Atanda, i cili nuk ka pushuar për asnjë moment.
Komentatori Agostineli
E shtuna ka rezervuar një seancë të lehtë për të besuarit e trajnerit Andrea Agostineli, të cilët dje kanë zhvilluar një seancë në palestër. Përpos drejtimit të Partizanit, trajneri italian nuk i ndahet edhe rolit të komentatorit të ndeshjeve të Seria A, kryesisht sfidave të Lacios.
Agostineli ka udhëtuar drejt Italisë dhe gjatë mesditës së sotme do të jetë në komentin e ndeshjes Torino-Lacio, takim i cili do të transmetohet në kanalin "Mediaset Premium".
Në këto kushte, falë angazhimit të trajnerit Agostineli si komentator, ekipi do ta ketë pushim të dielën. Ishte menduar se Partizani do t'i niste menjëherë përgatitjet për transfertën e Ballshit, që luhet në mesjavë, por për këtë sfidë puna do të nisë të hënën.
Pra, të kuqtë do të kenë dy ditë në dispozicion për të përgatitur takimin me Bylisin. Përgatitjet për takimin e javës së 25-të pritet të nisin me grumbullim.
Duke qenë se e diela do të jetë pushim, lojtarët do të kenë mundësi që sot të rikuperojnë energjitë e shpenzuara në derbi dhe në festën e fitores, që zgjati deri në agimin e së shtunës.