Vangjeli: Goli për nusen dhe djalin, ja pse vuajtëm
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Kristi Vangjeli ka festuar si i çmendur pas golit në limitin e takimit. Mbrojtësi i Skënderbeut luftoi shumë në krahun e djathtë dhe duelet me Trashin e Partizanit kanë qenë ndër më të veçantat e takimit.
Në bisedën për "Supersport", korçari nuk i kurseu ironitë për rivalin, ndërsa golin ia dedikon bashkëshortes dhe djalit. "Ishte një gol vendimtar, i shënuar në fund, që i dha ekipit barazimin dhe ajo që është më e rëndësishme, ruajtëm diferencën me Partizanin.
Mendoj se kemi bërë maksimumin, nga fillimi deri në fund të lojës. Dua t'i uroj shokët që luftuan shumë, në një terren kaq të vështirë, që nuk kishte as topa.
Gjithsesi, Skënderbeu e tregoi veten, sepse di të luajë futboll dhe barazoi me meritë në fund. Këtë gol dua t'ia dedikoj nuses dhe djalit, por gjithashtu edhe tifozëve korçarë që erdhën në Tiranë për të na mbështetur.
Tashmë po ecim të qetë në rrugën drejt titullit të gjashtë dhe nuk do të ndalemi", deklaroi mbrojtësi korçar, i cili shënoi dje golin e parë sezonal dhe pikërisht kundër Partizanit. Ky është sezoni i tretë që Vangjeli luan për ekipin e vendlindjes.