Nika tregon sekretin: Ha shumë çokollata, Duro na ka ndryshuar
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një nga lojtarët më të mirë të Kukësit në ndeshjen me Tërbunin, Ansi Nika, në një intervistë për "Panorama Sport", tregon gjithçka për skuadrën dhe sekretin e formës së tij.
"Çdo natë ha nga një qese çokollata. Kjo më bën të ndihem shumë mirë", tregon sekretin e tij mesfushori shkodran.
Ai vlerëson skuadrën dhe thotë se Kukësi është ekip i madh e me karakter, pasi vetëm një i tillë mund të ketë këtë ecuri në disa javë rresht. Ai nuk i trembet as Tiranës apo Teutës në garën për një vend në Europë. Vlerëson Gugash Maganin dhe thotë se Teuta do dalë në vendin e katërt, por duke qenë se Kukësi do fitojë Kupën, durrsakët do të shkojnë në Europë.
Arritët fitoren e katërt radhazi, si ndiheni?
Kemi arritur katër fitore radhazi që vetëm një skuadër e madhe dhe me karakter mund t'i realizojë. Jam shumë i kënaqur, pasi ekipi është super. Këto arritje do të thonë për ne që të jemi sa më afër objektivave që kemi si klub.
Tërbuni rezultoi kockë e fortë, sa të vështirë e patët të fitonit kundrejt tyre?
Nuk ka ekipe të lehta në Superiore, ne bëmë detyrën dhe fituam. Ishte një ndeshje e vështirë, por edhe me fat për kundërshtarin duhet thënë, pasi patëm shumë raste për të shënuar, disa herë çështje fati dhe disa herë meritë e portierit të tyre. Por, ne zhvilluam një volum të madh loje dhe ushtruam shumë presion te kundërshtari derisa erdhi goli.
Të dielën nuk patët fat dhe goditët traversën, por gjithsesi treguat një formë shumë të mirë, cili është sekreti juaj?
Unë dhashë gjithçka në fushë, ashtu si dhe shokët e mi të skuadrës. Fati nuk më buzëqeshi, por rëndësi ka që fitoi skuadra dhe unë bashkë me të, pasi të gjithë ne si pjesë e Kukësit morëm tri pikët. Kjo ka rëndësi të madhe. Sa për formën time, kam tri javë që jam rikthyer pas një dëmtimi dhe një problemi shëndetësor që kalova dhe tani jam shumë mirë. Ndihem në formë pasi po stërvitem shumë. Sekreti janë çokollatat. Unë dhe Edon Hasani pas darkës hamë nga një qese me çokollata.
Sërish Emini me gol 3-pikësh, çfarë përshtypjesh keni për të?
Emini është një djalë fantastik dhe një futbollist shumë i mirë, po na ndihmon shumë.
Te shënimi i golit, cila ishte arsyeja që festuat me Duron bashkë me Hasanin?
Festimi i golit ishte instinktiv, por edhe një dedikim për trajnerin, për vetë mënyrën sesi na karikoi në pushim të pjesës së parë. Na inkurajoi të gjithëve dhe ia dolëm.
Jeni konsoliduar si skuadër me lojë dhe rezultate, çfarë ju ka munguar më parë që e keni tani?
Skuadra ka ndryshuar shumë me ardhjen e profesor Duros, pasi ai ka futur një frymë dhe mentalitet fituesi në skuadër. Gjithashtu, jemi të bashkuar në fitore dhe në humbje. Jemi të gjithë bashkë dhe luftojmë për një qëllim të vetëm, arritjet e objektivave për Kukësin.
Këtë javë përballeni me Tiranën, si e shikoni këtë takim?
Me Tiranën është një ndeshje si gjithë të tjerat, besoj se edhe bardheblutë do ta kenë të vështirë me ne. Nuk jemi më Kukësi i ndeshjes së kaluar. Gjithsesi, është një ndeshje që duhet vlerësuar shumë dhe ne do bëjmë gjithçka për të marrë maksimumin nga kjo përballje.
Cilin shikon rival më të fortë për vendin e tretë, Tiranën apo Teutën?
Unë nuk ka frikë asnjërën prej tyre. Kam pasur fatin që të punoj me trajner Gugash Maganin dhe e njoh mirë, por i them se këtë vit do dalin të katërtit, ne do marrim Kupën e Shqipërisë dhe Teuta do marrë pjesë në Europë.
Përgatiti: Skerdilaid Sulozeqi