Laçi në pikën kritike, Nica bën gati rrotacionin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Pas ndeshjes me Teutën, skuadra laçiane është lënë pushim.
Ekipi po kalon krizën më të thellë të pesë edicioneve të fundit dhe vijon prej javësh që të mos dalë dot nga gjendja në të cilën ndodhet.
Problemet me kontingjentin, pezullime për kartonë dhe për pasojë mungesë pikësh ia kanë vështirësuar situatën klubit. Në pesë ndeshjet e fundit, formacioni i Stavri Nicës ka marrë vetëm një pikë duke larë duart me objektivat madhorë nga kampionati.
Të dielën, përballë Teutës në shtëpi, stafi teknik vendosi të hedhë në fushë disa nga lojtarët që kanë pasur më pak minuta në dispozicion. Edhe pse goditën shtyllën dhe krijuan bollëk rastesh, sërish ata ndaj një Teute cinike dolën duarbosh.
Në fund të takimit, Nica u shpreh se kishte marrë sinjale pozitive nga disa lojtarë dhe sipas tij ky rrotacion do të vijojë të aplikohet edhe në takime të tjera, pasi deri në ndeshjet e Kupës, aty ku Laçi kërkon të lërë gjurmë, ka ende kohë. Gjithsesi, në Laç besojnë se reagimi duhet të vijë shpejt. Kurbinasit do të jenë këtë javë mysafirë në Pukë dhe ndaj Tërbunit do t'i duhet shumë punë për të kaluar.
Dalja nga objektivi i fillimsezonit, ndërsa Laçi kërkonte një pozicion mes katër më të mirave, ka bërë që pas javës së 26-të ekipi të afrohet më shumë me ekipet e Vllaznisë dhe Flamurtarit. Trajneri Nica u shfaq i preokupuar pas takimit të së dielës. Ai pa me sytë e tij se edhe pjesa tjetër e skuadrës nuk bëri diferencë në rezultat. Tekniku foli me nota pozitive lidhur me disa lojtarë, ndërkohë që ruajti rezerva lidhur me aktivizimin e disa të tjerëve.
Përgatiti: Isuf Myrtaj