e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Van Persi: Skeni pare akoma se c'di te bej

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Van Persi: Skeni pare akoma se c'di te bej
Robin Van Persi nuk është penduar që la Arsenalin për Mançester Junajtid. Në një intervistë për “Sky Sports”, sulmuesi holandez tregon se ai po argëtohet si fëmijë në “Old Trafford”. 29-vjeçari la shiritin e kapitenit në “Emirates” në vitin e fundit të kontratës së tij, për t’u transferuar për 24 milionë paund në “Teatrin e Ëndrrave” këtë verë. Dhe prej atëherë ka shënuar 22 gola në 28 ndeshje, 18 prej të cilëve në Premier Ligë. “Arsenali është një klub i madh, ku jam ndier si mos më mirë në 8 vite qëndrimi. Por ndonjëherë ti ndihesh bosh dhe kërkon një sfidë të re. Kjo sfidë ishte Mançester Junajtid. Këtu ndihem i rrethuar nga kampionë. Kam mbërritur në Mançester në kohën e duhur. Kjo është sfida më e madhe e jetës sime dhe për të cilën nuk jam penduar.

E kam përqafuar me të dyja duart”, – thotë sulmuesi. Van Persi po argëtohet me “djajtë” dhe pranon se është ambientuar fare lehtë në ekipin e ri: “Është njëlloj si ndihet një fëmijë në një dyqan ëmbëlsirash. Po shijoj çdo moment. Më kanë ndihmuar të gjithë brenda dhe jashtë fushe. Kur shkova tek Arsenali, pashë që Bergkamp dhe Henri bënin gjëra që nuk i kisha imagjinuar në jetën time. Tani po i shoh sërish”. “Këpuca e Artë” e Premier Ligës është kandidatura më e fortë për ta mbrojtur këtë trofe në fund të sezonit, edhe pse do të luftojë deri në çastin final me një rival si Luis Suarez. Por çuditërisht Robin akoma nuk mendon se ka dhënë maksimumin në Mançester:

“Njerëzit shohin statistikat e së shkuarës dhe ato nuk janë aspak të shkëlqyera. Po t’u hedhësh një sy dëmtimeve të mia, do ta kuptoni përse nuk kam shënuar aq shpesh. Ato kanë qenë mallkimi im dhe nuk më kanë lejuar të tregoj çfarë di të bëj në fushë. Kundër Totenhemit luajta ndeshjen e 71-të radhazi në kampionat. Sot mund të kisha shënuar shumë më tepër se kaq, nuk e keni parë ende më të mirën time”.