e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Petkovic vlereson shqiptarin ndaj Juves: Cana, 'xholi' im

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Petkovic vlereson shqiptarin ndaj Juves: Cana, 'xholi' im
Trajneri i Lacios, Vladimir Petkoviç, ka vlerësuar lojën e bërë nga Lorik Cana në takimin ndaj Juventusit. Puna që bën kapiteni i Kombëtares shqiptare për ekipin është e madhe, pasi karakteristikat e Lorikut i japin mundësi teknikut boshnjak që ta përdorë atë në disa role. “Pozicioni i tij varet nga kundërshtari dhe nga fakti se në cilën fazë është loja. Unë e zhvendosa atë përpara në fund të takimit, me qëllim që të shtoja presionin ndaj bardhezinjve. Kjo gjë bëri punë. Ai është ‘xholi’ im, një nga lojtarët që mund ta përdor në disa role dhe që i realizon mirë detyrat që i caktohen”, – deklaroi tekniku boshnjak, i cili është i kënaqur me punën e bërë nga mbrojtësi shqiptar. Dje ky i fundit në qendër ishte thuajse perfekt, duke mos bërë asnjë gabim.

Rezultati - Tekniku ka vlerësuar lojën e lojtarëve në “Juventus Stadium”. “Ky barazim është pak a shumë i drejtë. Ne besuam deri në fund, ndërsa kishte çaste kur Juventusi na bëri të vuanim. Ne i dimë mirë cilësitë e tyre në fushë. Bëmë një lojë të mirë në pjesën e parë, ndërkohë që në të dytën ishim të pasaktë. Megjithatë, rezultati 1-1 është i merituar nga ana jonë. Është meritë e të gjithëve, përfshirë edhe portierin Marketi”, – deklaroi numri një i stolit bardhekaltër. Më pas ai sqaroi ndryshimet e bëra gjatë lojës: “Zëvendësimet u bënë për shkak të disa lëvizjeve jo perfekte në mesfushë. Juvja pati rastet e saj, por edhe ne gjatë pjesës së parë kishim mundësi të fitonim, nëse do të tregonim pak më shumë ligësi përpara portës”
.
Sfida e kthimit - Petkoviç që tani po mendon për takimin e kthimit në shtëpi: “Rezultati është në rregull, por shpresoj që pas shtatë ditësh në stadiumin ‘Olimpiko’ t’i shikoj tifozët që të na mbështesin ashtu siç i pamë sot (dje) në ‘Juventus Stadium’. Tifozët do të na ndihmojnë shumë. Sa u përket bardhezinjve, ata kanë lojtarë që tregojnë në çdo ndeshje vlera të mëdha, por unë gjithsesi dua të mbaj lojtarët e mi duke u përpjekur që të marr diçka”, – përfundoi numri një i stolit lacial.

“Lacio me fat, s’na u dha një penallti”

Antonio Konte e konsideron të padrejtë barazimin e marrë nga Lacio në Torino. Tekniku juventin mendon se bardhekaltrit ishin me fat në sfidën e djeshme. “Meritonim shumë më shumë se sa barazimi. Pavarësisht emergjencës së ekipit, bëmë një ndeshje të madhe. Në kampionat edhe në kupë Lacio ka pasur shumë fat, shpresojmë që ta kemi ne në takimin e kthimit”, – deklaroi numri një i stolit bardhezi. Ai më pas theksoi se ekipit iu mohua një penallti, pas një ndërhyrjeje ndaj Vuçiniçit. “Pamjet filmike flasin vete. Sa i përket golit të Pelusos, ai ishte i rregullt”. Konten megjithatë e shqetësojnë të dëmtuarit: “Është diçka negative për ne. Megjithatë, prapë në fund rezulton fakti që, pavarësisht mungesave, ne bëjmë një ndeshje të mirë. Për barazimin na vjen keq, por gjithsesi jemi optimistë. Ne do të fitojmë ndaj lacialëve në shtëpinë e tyre, për këtë jam i bindur. Ekipi im i ka mundësitë t’i mundë ata. Për ne kupa është e rëndësishme. Megjithatë tani duhet të përqendrohemi për takimin radhës në kampionat”. Në fund tekniku ka një batutë për rinovimin e kapitenit Bufon: “Jam i kënaqur që portieri më i mirë në botë do të rrijë sërish me ne”.

Mauri
“Ky barazim, i merituar ndaj një ekipi të madh”

Kapiteni i Lacios dhe autori i golit të barazimit, Stefano Mauri, e quan pozitiv rezultatin e marrë në Torino. “Për ne është pozitiv fakti që barazuam në ‘Juventus Stadium’. Kemi vuajtur jo pak, Marketi ishte vendimtar që na mbajti në lojë, çka është pozitive. Juventusi është një ekip i madh, çka e ka treguar këto dy vite të fundit. Është shumë e vështirë të luash në fushën e tyre. Ne provuam që të luanim hapur dhe në fund e merituam këtë barazim. Sa i përket takimit të kthimit, në fillim kemi për të kaluar Kievon”.

Vidal
“Lacion do ta mundim në ‘Olimpiko’”

Mesfushori juventin, Arturo Vidal, nuk e bën tragjike barazimin e marrë në shtëpi ndaj Lacios. “Bëmë një ndeshje më të mirë se bardhekaltrit dhe më vjen keq që nuk e fituam. Duhej pak më shumë saktësi dhe fat në finalizim. Megjithatë, nuk shqetësohem, pasi ne do të kualifikohemi për në finale në ‘Olimpiko’”, – tha kileni. Ai më pas falënderoi tifozët për mbështetjen që i dhanë në shkallët e stadiumit. “Më vjen keq që nuk i gëzuam ata me fitore. Jemi me fat që kemi një publik të tillë”, – përfundoi Vidal.

Peluzo
“I lumtur për golin, keqardhje që nuk fituam”

Mbrojtësi Fedriko Peluzo ka shënuar golin e tij të parë me bardhezinjtë. Lojtari është i kënaqur që realizoi në këtë takim, por i vjen keq që ekipi nuk fitoi. “U gëzova shumë për golin që shënova. Shokët bënë një ndeshje shumë të mirë, ndërsa ishin superiorë ndaj Lacios. Megjithatë ata na ndëshkuan në fund dhe më vjen keq që nuk arritëm të dilnim si fitimtarë. Tifozët ishin të jashtëzakonshëm. Ata do t’i bëjmë të lumtur në sfidën e kthimit. Do të jemi ne që do të kualifikohemi”, – tha mbrojtësi i Juves