e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Edgar Cani firmos per Katanian deri me 2016.

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Edgar Cani firmos per Katanian deri me 2016.
Edgar Cani është futbollist i Katanias. Sulmuesi i kombëtares kuqezi rikthehet në Itali, pas një eksperience jo fort të këndshme në Poloni, ku problemet e shoqëruan në këtë “stacion” të karrierës së tij si futbollist profesionist. Klubi italian i Seria A njoftoi të martën se ka nënshkruar një kontratë ekonomike me lojtarin mëngjesin e kësaj dite, e cila do të mbetet në fuqi deri më 30 qershor 2016. Sulmuesi shqiptar ka përfunduar në mënyrë të njëanshme marrëdhëniet e tij profesionale me Polonia të Varshavës muajin e kaluar. Sipas medias së fqinjit tonë të përtej Ariatikut, Çani është marrë si zëvendësues i Bergessio.

I lindur në Tiranë më 22 korrik 1989, Edgar Çani u rrit në qytetin e Piave (Peruxhia), ndërsa ka nisur pak javë më parë bisedimet me presidentin e Katanias, Pulvirenti. Shqiptari ka veshur edhe fanellën e Palermos në Itali (skuadër me të cilën bëri debutimin e tij në Seria A, më 27 prill 2008, kundër Atalantës), të Askolit, Padovës, Piacenzës dhe Modenës, para se të transferohej në Poloni. Atje ku shënoi 11 gola në 26 ndeshje, në sezonin 2011-2012. Me kombëtaren kuqezi, sulmuesi në fjalë ka shënuar 3 gola në 9 ndeshje të luajtura.

Me këtë transferim, shkon në katër numri i legjionarëve kuqezinj, që do të luajnë në Seria A. Përvec Lorik Canës te Lacio, Erjon Bogdanit te Siena dhe Samir Ujkanit te Palermo, edhe Edgar Çani bëhet pjesë e elitës së kampionatit italian. Si pjesë e Katanias, skuadër e cila drejtohet nga trajneri Maran, që mban vendin e tetë me 32 pikë, në 21 javë të luajtura.

Situata Edgar Çani ishte një nga lojtarët shqiptarë që priste me padurim të njihte skuadrën e tij të re për sezonin në vazhdim. I dalë jashtë organikës së Polonia Varshavës, për shkak të përplasjeve të vazhdueshme që ka pasur me drejtuesit, lojtarit i ishte thënë qartazi që të gjente një skuadër të re, pasi nuk ishte më pjesë e klubit për sezonin në vazhdim. Një gjë të tillë e pat pohuar edhe vetë lojtari, i cili kërkoi që të merrte edhe dokumentacionin para këtij muaji, duke u konsideruar si një lojtar i lirë.

Në këtë mënyrë Çani besonte se do ta kishte më të lehtë të transferohej në një klub tjetër, duke qenë se drejtuesit e Polonias, të paktën deri në nëntorin e 2012-ës, kërkonin gati 1 milion euro për kartonin e tij. Gjithsesi, në pamundësi për të gjetur një skuadër, kjo edhe për faktin se Çani kishte refuzuar disa oferta të mira si nga Salzburgu në Austri, Sivaspori në Turqi, Arsenali i Kievit në Ukrainë, por edhe nga skuadra të kategorisë inferiore si Karpi dhe Avelino në Itali dhe Jahn Regensburg në Gjermani, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte rikthyer dje në stërvitje te Polonia Varshava.

“Jam rikthyer në Poloni pas disa ditëve pushim në Itali. Sot (dje) rifillova stërvitjen me skuadrën. Javën që vjen do të vendos nëse do transferohem në ndonjë skuadër tjetër apo do vazhdoj të angazhohem me Polonia Varshavën”, – shkruante Çani në faqen e tij zyrtare në “Facebook”. Sulmuesi ka luajtur vetëm 49 minuta këtë sezon, kjo pasi është ndëshkuar nga drejtuesit për sjelljen e tij si ndaj klubit, edhe ndaj kolegëve në skuadër (mjafton të kujtojmë sherrin në nëntor me kapitenin e ekipit për të gjuajtur një penallti, të fituar nga vetë Çani. Pas atij incidenti ai u përjashtua fare nga skuadra dhe u ndëshkua me stërvitje te të rinjtë)