e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Van Nistelroi: Mos u zini bese gjermaneve

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Van Nistelroi: Mos u zini bese gjermaneve
Rud Van Nistelroi ka ende zemërim kur flet për Holandën. Bomberi “tulipan” dha gjithçka për të veshur për të fundit herë fanellën portokalli, por Van Marvijk nuk ia dha këtë shans. Sulmuesi 35-vjeçar, i cili i dha fund karrierës këtë verë, e sheh të pamundur kualifikimin e skuadrës së tij kombëtare në çerekfinale. Ish-ylli i Junajtid dhe Realit nuk i ka pëlqyer as premtimet e Mario Gomezit apo Tomas Mylerit se do ta mundin ata Danimarkën për t’i bërë nder Holandës. Myler hyri në dhomën e zhveshjes së nënkampionëve të botës dhe, pasi ndërroi fanellën me Van Bomelin, u tha rivalëve: “Ne do të bëjmë gjithçka për ta mundur Danimarkën”. Por ishbomberi i kësaj skuadre nuk i zë besë asnjërit prej lojtarëve të Bajernit. “Po ju a besoni me të vërtetë në sinqeritetin e Gomezit?

Ai shënoi dy herë në portën e Holandës dhe festoi në mënyrë të çuditshme përpara tifozëve tanë. Mua m’u duk si provokim. Ishte njëlloj sikur të thoshte: ‘shikoni, unë ju shënova një gol, tani do t’ju bëj edhe një tjetër’. Mund ta kishte kursyer një batutë të tillë. Ndërsa Mylerin nuk do të doja ta shikoja në dhomën time të zhveshjes pas një humbjeje. Çfarë është kjo hipokrizi. Do t’i thosha të shkonte menjëherë në dhomën e tij”, – u shpreh me tone të ashpra ish-sulmuesi i Hamburgut. Që Holanda të kualifikohet në ¼-at, duhet që Gjermania të mundë Danimarkën dhe “tulipanët” të mundin me dy gola diferencë Portugalinë. Një skenar të tillë, golashënuesi i famshëm e sheh të vështirë të ndodhë: “Do të jetë e vështirë. Portugalia është një skuadër që nuk mund ta mundësh kollaj 2-0, apo 3-0. Në dy ndeshje e para unë kam vënë re distanca të mëdha mes reparteve. Sulmi ka punuar mirë, por nuk ka qenë konstant gjatë 90 minutave. Van Marvijk duhet të kishte zhvilluar një modul loje me Huntelarin dhe Van Persin në formacion. Diçka të tillë nuk mund ta bëjë vetëm në ndeshjen e fundit. Jemi tepër vonë”.

Federata: Van Marvijk rrezikon shkarkimin në rast dështimi

Presidenti i Federatës Holandeze, Bert Van Ostven, ka lënë të kuptohet se Van Marvijk mund të shkarkohet nga stoli i Holandës në rast eliminimi në grup. “Është logjike që të ketë një proces reflektimi për punën e trajnerit dhe skuadrës. Pavarësisht rinovimit, trajneri mund të largohet në rast se ka në plan për të drejtuar një klub. Për Botërorin e 2014-ës, por edhe në “Euro 2016″ na duhet gjak i ri në skuadër”, – tha numri 1 i federatës për vendësen “Voetbal International”. Ndërkohë, Van Marvijk ka lënë të kuptohet se Huntelar mund të luaj titullar me luzitanët: “Kam një sulmues klasi si Van Persi, të cilin nuk mund ta ul në stol. Me Gjermaninë shënoi një gol fantastik. Nuk kam ndërmend të heq dorë prej tij, edhe pse ndaj Portugalisë mund të luajë titullar edhe Huntelar”.

SHNAJDER: S’I BËJMË GATI VALIXHET

Uesli Shnajder është në një gjendje të vështirë psikologjike, edhe pse është shprehur se kurrë nuk do ta pranonte të takonte një psikolog. “Bëhem keq kur mendoj se jemi në të tilla kushte. Nuk dua që të kthehemi në shtëpi, prandaj do bëjmë gjithçka për të shkuar përpara. Shpresoj ende se Holanda do të rikthehet në formën e Botërorit të dy viteve më parë”, – deklaroi fantazisti i Interit.

VAN PERSI: BESOJ TE MREKULLIA

Për Robin Van Persin, fitorja me dy gola diferencë ndaj portugezëve nuk është një mision i pamundur. Lideri i sulmit “tulipan” ka besim edhe te fitorja e Gjermanisë. “Ne do e marrim shtruar ndeshjen me luzitanët. Pastaj, nuk është se kërkojmë diçka të pamundur. Na duhet thjesht një mrekulli e vogël, të cilët në shpresoj se do ta arrijmë”, – tha kapiteni i Arsenalit.

HUNTELAR: DURIM SI GJERMANËT

Van Marvijk është gati ta aktivizojë titullar golashënuesin e Shalkes, dhe Jan Klas-Huntelar shprehet se Holanda nuk është nën presionin e një fitoreje të thellë me skuadrën e Ronaldos: “Nuk duhet të nxitohemi që të shënojmë sa më shpejtë. Skuadra duhet ta shmangë panikun. Kësisoj do e marrim shtruar për të shënuar golin e parë, edhe pse unë kam besim se do vijë shpejt”.