e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Eusebio le shtratin per te motivuar Portugaline

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Eusebio le shtratin per te motivuar Portugaline
Që Portugalia të avancojë në fazën çerekfinale të Evropianit është sakrifikuar edhe vetë legjenda e kësaj kombëtareje, Eusebio. “Këpuca e Artë” e Botërorit 1966 ka qenë prezent në stërvitjen e fundit të skuadrës së Paulo Bentos ditën e premte, përpara nisjes drejt Ukrainës, ku të dielën i pret ndeshja decizive me Holandën. I veshur me një kostum të kombëtares, 70- vjeçari ka lënë shtratin për të mbështetur moralisht Kristiano Ronaldon me shokë që të mos gabojnë në ndeshjen për jetë a vdekje me nënkampionët e botës dhe që t’i bashkohen Gjermanisë si skuadra e dytë e kualifikuar në “grupin e ferrit”.

Eusebio vuan prej sëmundjes së tensionit të lartë të gjakut dhe komplikacioneve në mushkëri, si pasojë e të cilave prej muajit shkurt është shtruar disa herë në spital. Mirëpo vetëm që të mbështesë luzitanët, ai ka preferuar të sakrifikojë edhe shëndetin. Sipas gazetës më të madhe sportive vendëse, “A Bola”, ish-sulmuesi i Benfikës mund të vendosë t qëndrojë në të njëjtin hotel të skuadrës përpara nisjes drejt Krakivës. Prezenca e “Panterës së Zezë” në stërvitje i ka sjellë fat skuadrës, pasi Paulo Bento ka rikuperuar edhe Migel Lopezin pas një virusi. Të dielën mbrojtësi i djathtë i Portos do të jetë gati për të dhënë edhe ai një dorë kundër “tulipanëve”.