e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Italia si Spanja, por pa Fernando Torresin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Italia si Spanja, por pa Fernando Torresin
Italia ka treguar se meriton “petkun” e ekipit të madh, që e ka karakterizuar përgjatë gjithë historisë. Duhet pranuar që futbollistët e Prandelit nuk janë më yje të futbollit apo që shkëlqejnë me klubet e tyre, por që së bashku po bëjnë një paraqitje me të vërtetë cilësore në përfaqësuese.

Të them të drejtën, më ngjasojnë mjaftueshëm me Spanjën. Kanë një organizator të shkëlqyer si Pirlo (iberikët kanë Ksavin), të cilët lëvizin bukur dhe shpërndajnë me zgjuarsi lojën. Kanë një mesfushë tepër kompakte, e cila e administron presionin duke e qarkulluar qetësisht topin. Kanë futbollistë të shpejtë nga krahët, të cilët mendojnë si për të ndihmuar repartin e avancuar, ashtu edhe për të mbrojtur. Por, çfarë i mungon kësaj Italie që nuk kalon lehtësisht rivalët dhe që barazoi në dy ndeshjet e para? Mendoj se Fernando Torresi.

Spanja, e cila nuk luajti me një sulmues të mirëfilltë në ndeshjen e parë, nuk mori më shumë se një barazim ndaj të kaltërve. Të dy ekipet u dukën si të barabartë dhe asnjë prej reparteve sulmuese nuk bëri diferencën, që të tërhiqte skuadrën. Nëse të kaltrit do të kishin një sulmues potent, i aftë për të bërë diferencën në luftën në ajër, të finalizojë saktë, por edhe për të marrë pjesë në kundërsulme, ndaj kroatëve do të kishin fituar pa vështirësi. Më vjen keq që Mario Baloteli, edhe pse në formë të shkëlqyer fizike, po dënon ekipin me kapriçot apo shpërdorimet e tij.

Por, “lajmi i mirë” për Italinë është sepse unë i krahasova pikërisht me Spanjën, duke nënkuptuar se ata janë një prej ekipeve më cilësore të kompeticionit. Dhe, për t’u bërë një krahasim të tillë italianëve, duhet jo pak guxim. Pse? Sepse luan me futbollistë si Xhakerini, Baloteli apo Kasano, që nuk kanë luajtur si titullarë stabël me ekipet respektive, që kanë pasur jo pak probleme gjatë sezonit që përfundoi.

Është një ekip i sajuar me zgjuarsi nga trajneri Prandeli, i cili ka përshtatur shkëlqyeshëm karakteristikat e futbollistëve. Ndërlidhi fuqinë fizike të lojtarëve, me teknikën dhe aftësinë organizative. Një skemë që deri diku ka qenë e suksesshme, por që për të marrë merita të plota duhet të fitojë bindshëm ndaj Irlandës. Dhe, në ndeshjen e fundit të grupit, për italianët duhet të mendojë dikush që të bëjë “Torresin” në fushë…