E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Valmir Berisha: Te Roma iki me vrap!

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Valmir Berisha: Te Roma iki me vrap!

Transferimi i Valmir Berishës te Roma nuk është vetëm një thashethem i zakonshëm i merkatos, pasi klubi italian ka nisur seriozisht bisedimet për transferimin e sulmuesit 17-vjeçar. Ylli i ri që shpërtheu në Botërorin U-17 me kombëtaren e Suedisë, ka konfirmuar pjesërisht hapjen e marrëveshjes, duke deklaruar se do të ishte i gatshëm që në të ardhmen të luante përkrah yjeve si Toti, De Rosi apo Strotman.

“Nuk kam shkuar ende në Romë, por di që më kërkon skuadra e këtij qyteti. Nëse më ofrohet një kontratë e mirë, është më se e mundur që të arrij aty në janar, por kërkohem edhe nga klube të tjera si në Itali, ashtu edhe në pjesën tjetër të Europës. Ndonjë emër? Atalanta, Kievo, Juventus dhe Milan. Megjithatë, Roma do të ishte një hipotezë mjaft interesante dhe do të vija me shumë qejf. Kush është idhulli im? Padyshim Zlatan Ibrahimoviç”, ishin fjalët e futbollistit shqiptar të publikuara në mediat italiane.

Bisedimet e para mes Berishës dhe Romës kanë filluar dy ditë më parë, siç ka zbuluar eksperti i merkatos, Xhianluka Di Marzo. Ky i fundit ka bërë të ditur se klubi i kryeqytetit italian kërkon që të ndërtojë një ekip të fortë, por duke u bazuar te talentet e reja premtuese. Duket se Roma i ka ofruar lojtarit një kontratë prej 4 vitesh e gjysmë, deri në vitin 2018, për të mundur konkurrencën e shumë klubeve të tjera që interesohen për talentin e Halmstads.

Prishja e kontratës me klubin e tij aktual nuk është problem, pasi duke pasur një kontratë prej joprofesionisti, meqë nuk ka mbushur ende 18 vjeç, Berisha mund të largohet nga klubi kundrejt pagesës së rreth 360 mijë eurove. Meqenëse ai cilësohet si një nga sulmuesit e rinj më të mirë në qarkullim, Roma dhe klubet e tjera që interesohen për të janë gati të bëjnë menjëherë këtë investim dhe jo të presin merkaton e verës.

Përveç verdhekuqve, për lojtarin interesohen shumë skuadra të tjera italiane, por edhe ekipet angleze, ku më pranë tij mendohet të jenë Sandërlend, Totenhem e Liverpul. Pikërisht Sandërlendi është rivali kryesor i gjithë ekipeve të mëdha, pasi i ka bërë të qartë përfaqësuesve të lojtarit se mund t’i garantojë atij hapësira në formacionin e parë më shumë se në çdo klub tjetër të njohur.

Ndërkohë, menaxheri i futbollistit Anders Karlson ka bërë të qartë se për momentin nuk do të flasë zyrtarisht rreth asnjë oferte që ka ardhur në adresë të Berishës, thjesht ka konfirmuar se ai do të ndryshojë skuadër brenda këtij muaji. “Nuk kam asnjë koment për të bërë rreth atij që mund të jetë klubi i tij në të ardhmen, por transferimi do të bëhet gjatë muajit janar”. Në Itali mendohet se drejtori sportiv i Romës, Valter Sabatini, kërkon të mbyllë gjithçka brenda 24-48 orëve të ardhshme, në mënyrë që Berisha të vihet nën urdhrat e trajnerit Rudi Garcia për pjesën e dytë të sezonit, edhe pse për momentin në këtë edicion do të aktivizohet me ekipin e të rinjve.

7 gola

Berisha shpërtheu në arenën ndërkombëtare duke shënuar 7 gola në po aq ndeshje në fazën finale të Botërorit U-17 me Suedinë

360000 euro

Të interesuarit mund ta blejnë atë kundrejt pagesës së kësaj shume te Halmstads, pasi Berisha nuk ka kontratë profesionistësh

16 ndeshje

Berisha ka veshur në 17 ndeshje fanellën e kombëtares U-17 të Suedisë, duke shënuar 10 gola gjatë kësaj periudhe