e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Statistikat, CR7 mund Mesin per 2013-en

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Statistikat, CR7 mund Mesin per 2013-en

Lionel Mesi dëshiron ta harrojë sa më shpejt vitin 2013, pasi mungoi shpeshherë për shkak të dëmtimeve. Ai mund të quhet plotësisht viti i Kristiano Ronaldos në aspektin individual. Kjo, jo për faktin se portugezi arriti të gjente rrugën e rrjetës 69 herë dhe argjentinasi 45, pasi ky i fundit ka luajtur më pak ndeshje, por për shkak të mesatares së minutave për gol dhe mjaft statistikave të tjera që tregojnë diferencën mes dy lojtarëve më të mirë të viteve të fundit. Saktësisht Kristiano ka shënuar çdo 71.81 minuta, ndërsa “Pleshti” çdo 78.35 minuta.

Nga ana tjetër, sa herë që kanë qenë në fushë, ylli i Realit ka qenë më efektiv se rivali i tij i Barcelonës për rezultatet e skuadrës. Në të gjitha ndeshjet e vitit 2013, madrilenët kanë fituar 75.7% të tyre, sa herë që është aktivizuar blerja më e shtrenjtë në histori. Ndërkohë, katalanasit kanë fituar në 69.5% të ndeshjeve me Leo Mesin në fushën e lojës. Madje, edhe në kampionat ka diferencë, pavarësisht se titullin e fitoi Barça.

Reali me Ronaldon ka fituar 82.8% të përballjeve, ndërsa katalanasit me Leon 82.1%. Argjentinasi ka zhvilluar gjithsej 47 ndeshje në vitin kalendarik 2013, ndërkohë që portugezi 59 të tilla. Në fakt, fituesi i katër herë “Topit të Artë” duket shumë mbrapa në sondazhe për ta fituar sërish këtë çmim prestigjioz, edhe pse është mes tri finalistëve së bashku me Kristianon dhe Frenj Riberin. Problemet fizike e penguan atë që të dhuronte një vit të jashtëzakonshëm si në të shkuarën, por sapo është rikthyer tashmë prej dëmtimit, ka konfirmuar menjëherë se nuk ka humbur aspak nga “magjia” e tij.

VITI 2013

Leo Mesi

47 ndeshje (45 gola)

Gol çdo 78.35 minuta

Ka fituar 69.5% të ndeshjeve që ka luajtur

Kristiano Ronaldo

59 ndeshje (69 gola)

Gol çdo 71.81 minuta

Ka fituar 75.7% të ndeshjeve që ka luajtur