e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Armando Duka nuk ka guxim te denoncoje trukimet ne futbollin shqiptar, madje i ka penguar ato'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Armando Duka nuk ka guxim te denoncoje trukimet ne futbollin shqiptar, madje i ka penguar ato'

Ish-shefi i gjyqtarëve në FSHF, Arsen Hoxha, kritikon ashpër kreun aktual të institucionit të futbollit, Armand Duka. Në një rrëfim për “Panorama Sport”, ish-gjyqtari i njohur shqiptar, që tashmë është rikthyer në Amerikë, ku jeton prej kohësh bashkë me familjen e tij, ka pranuar të tregojë prapaskenat e viteve 2009-2010, kur ai kishte një post drejtuesi në federatë. Hoxha e cilëson FSHF-në si një institucion ku demokracia ka vdekur dhe se presidenti i saj nuk është në gjendje të frenojë trukimet apo të denoncojë hapur drejtuesit e dhunshëm të klubeve

“Duka nuk erdhi në krye të FSHF-së nga bota e futbollit. Atë e sollën biznesmenët që kishin marrë përsipër të drejtonin klubet e qyteteve të tyre, që gjithashtu nuk vinin nga bota e futbollit. Një pjesë e tyre ishin anonimë, siç ishte dhe vetë Duka. Pehlivanllëqet për të fituar ndaj ekipit kundërshtar me metodat e përdorura në bizneset e tipit alla-shqiptare krijuan situata tepër të vështira, jo vetëm për imazhin e futbollit shqiptar, por edhe për Dukën, i cili me organizmat e drejtësisë sportive, që në atë kohë ishin formale dhe plotësisht të varura, u lanë rrugë të lirë drejtuesve, që nuk përfillën parimet dhe rregullat e një futbolli të pastër.

Për fat të keq, në një forme apo një tjetër, Duka nuk arriti të distancohej plotësisht prej tyre. Ai kurrë nuk gjeti forca për të denoncuar hapur drejtuesit e dhunshëm apo ata që ndeshjet i kanë trukuar në mes të ditës. Madje, nganjëherë Duka ka qenë kritik ndaj zyrtarëve të FSHF-së, që patën kurajën të flisnin hapur për këto dukuri negative. Trukimet e ndeshjeve nga disa klube shqiptare që kanë marrë pjesë në Kupat e Europës, kanë qenë një turp i madh, që vazhdimisht janë kapërcyer në heshtje. Duka nuk ka parapëlqyer të atakohet me forcën e duhur me votuesit e tij, edhe kur imazhi i futbollit është cenuar rëndë. Në mandatin e tretë Duka bëri ndryshime të ndjeshme, por jo të mjaftueshme”, shprehet Arsen Hoxha.