'Daily Mail' vlereson Januzajn: Te Junajtid ia kalon vetem Runi
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Adnan Januzaj është një nga lojtarët më të mirë të këtij sezoni për Mançester Junajtid. Ky është vlerësimi i dhënë nga gazeta e njohur britanike “Daily Mail”, e cila pas humbjes së radhës së “djajve të kuq” ka analizuar paraqitjen e 27 lojtarëve që kanë veshur fanellën e këtij klubi në pjesën e parë të sezonit. Januzaj, ndonëse deri pak muaj më parë ishte thuajse i panjohur për opinionin e gjerë publik, tashmë renditet në treshen e më të mirëve, atyre lojtarëve që nuk kanë zhgënjyer me paraqitjen e tyre, duke qenë pas Uejn Runit, që mban vendin e parë me notën 9 dhe përkrah David De Gea që mban notën 8, ashtu si talenti shqiptar.
Humbja e tretë brenda të njëjtës javë për Mançester Junajtid nuk ndodhte që nga viti 1992 dhe për këtë arsye, gazeta britanike i ka kushtuar mjaft vëmendje formës së lojtarëve që kanë zbritur në fushë, pasi ata cilësohen po aq fajtorë për këtë gjendje sa trajneri David Mojes. Uejn Runi mbetet ylli i skuadrës, siç e tregon nota 9 që i është vënë lojtarit, i cili ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë 19 asist gjatë këtij sezoni në të gjithë turnetë që ka luajtur Mançester Junajtid. Por, pas tij, janë të paktë lojtarët që kanë shkëlqyer dhe një ndër ta është Januzaj.
“Një pikë e shndritshme mes territ që ka pushtuar ‘Old Traford’, Januzaj ka kaluar një sezon brilant dhe duket se po bëhet gati të kthehet në një titullar të Junajtid për shumë vite që do të vijnë. Mojes po e aktivizon 18-vjeçarin me një rregullsi që shtohet nga ndeshja në ndeshje, që nuk është gjë e keqe, duke parë se ai mund të influencojë një ndeshje me hapin, krosimet dhe aftësitë e tij shënuese. Ai ka qenë mbresëlënës dhe një nga të paktët te Junajtid që meritojnë duartrokitje në këtë sezon”, shkruhet në artikullin e gazetës prestigjioze britanike që i vendos atij notën 8.
Për të kuptuar se sa i rëndësishëm ka qenë Januzaj për Junajtid, mjafton të shohësh notat që kanë marrë shokët e tij të repartit të mesfushës, ku luajnë shumë emra të njohur të futbollit botëror. Kalues janë vetëm Majkëll Kerrik (5), Darren Fletçer (6), Antonio Valencia (5) dhe Rajan Gigs (5), ndërsa pjesa tjetër e këtij reparti lë shumë për të dëshiruar. Tom Kleverli me notën 4 kryeson dështimet, i ndjekur nga Shinji Kagaua (2), Nani (2), Eshli Jang (2), Anderson (1), Maruan Fellaini (1) dhe Uilfrid Zaha (1). Për më tepër, Januzaj ka marrë notë më të mirë edhe se Robin Van Persi (6), i cili po kalon disa dëmtime radhazi, ashtu si edhe Deni Uellbek (7) apo Havier “Çiçarito” Hernandez (5).
Edhe ish-yjet e Mançester Junajtid mendojnë se tashmë shqiptari është një yll i kësaj skuadre. I fundit që është shtuar në listën e admiruesve të tij është emri i ish-sulmuesit Endi Kol, i cili nuk ka ngurruar të deklarojë se në ndeshjen e parë kundër Sandërlend, atë ku Januzaj shënoi 2 gola, “kishte lindur një yll”.