Uli Hënes në stadium, Bajerni do fitore për ish-presidentin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Bajerni i Mynihut i ka vënë qëllim vetes të fitojë titullin rekord (4 herë radhazi) sa më shpejt të jetë e mundur. Në javën e 24-t, kampionia në fuqi do presë në shtëpi ekipin e Maincit.
Ashtu si javën e kaluar për 116-vjetorin e themelimit, edhe për këtë ndeshje ka rastisur që ekipi i Guardiolës të jetë më i motivuar. Arsyeja?
Rikthimi pas 21 muajsh i ish-presidentit Uli Hënes në stadiumin "Allianz-Arena". "Më vjen mirë për Hënesin dhe familjen e tij.
Ky është lajmi më i mirë, pasi Bajernit i rikthehet një nga personat më të rëndë- sishëm në historinë e saj", tha Guardiola, i cili vijoi konferencën për shtyp me analizën e ndeshjes përballë Maincit:
"Të gjithë janë rikthyer (përveç Boatengut, Badshtuber dhe Martinez) dhe do jenë gati për të mërkurën. Gëce? Kam 7 sulmues dhe nuk e kam vendosur ende. Riberi mungoi 8 muaj, ndërsa Gëce 4 muaj. Ata kanë nevojë për minuta. Mario është profesionist dhe shumë korrekt. Kemi ende dhe tre muaj kohë".
Më pas Guardiola i thur elozhe Riberisë. "Frenku është një nga lojtarët më të rëndësishëm në historinë e Bajernit. Ne jemi të lumtur që ai u rikthye, madje edhe më i fortë"Trajneri spanjoll çuditet nga pyetjet e gazetarëve, të cilët kanë interes vetëm për Dortmundin dhe jo për Maincin.
"Ne luajmë ndaj Maincit, ju më pyesni për Volfsburgun dhe Dortmundin. Sigurisht që Borusia është rivali më i fortë, por si ndaj tyre dhe Maincit luhet për tri pikë.Mainci lufton të kapë Champions-in dhe ka lojtarë mjaft dinamikë dhe një portier të shkëlqyer", përfundoi Guardiola.
Precedentët
Bajerni nuk ka humbur asnjë nga tetë sfidat e fundit ndaj Maincit (7 fitore radhazi, 1 barazim). Humbja e fundit daton më nëntor 2011 (2-3 në Mainc).
Bavarezët kanë një bilanc të frikshëm këtë sezon në ndeshjet brenda fushe. Ata i kanë fituar të 15-ta takimet. Mainci është edhe rivali i preferuar i Levandovskit. Polaku e ka ndëshkuar 9 herë në 6 ndeshjet e fundit. Gjyqtari kryesor do të jetë Sasha Shtegeman.