Bufon i pathyeshmi, vë në shënjestër Xofin dhe Rosin
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
"Kur pësoj një gol, ndihem sikur jam nudo përballë dhjetëra mijëra tifozëve të pranishëm në stadium dhe miliona sportdashësve të tjerë që më ndjekin nga televizori".
Kjo ishte përgjigjja që Xhanluixhi Bufon i jepte disa vite më parë një tifozi bardhezi që e pyeste se çfarë ndjesie kalon në kokën e një portieri kur ai pëson gol.
Por prej 51 ditësh në kampionat, kapiteni i Juventusit është më i veshur se kurrë, sepse prej 8 takimesh radhazi ai e mban portën e tij të paprekur, për një total prej 746 minutash.
Por natyrisht që mbrojtësi ekstrem i klubit torinez nuk kërkon të ndalet këtu, pasi objektivi i tij është që ta rrisë edhe më shumë këtë shifër të pathyeshmërisë së tij, sepse kështu do të ndihmonte dhe do ua bënte gjërat më të lehta shokëve të tij që vrapojnë në fushë.
Natyrisht që një si Bufoni kërkon të dalë me trofe në fund të sezonit, por nga ana tjetër edhe rekordet personale, ose thyerja e disa arritjeve që qëndrojnë prej shumë vitesh janë një sodisfaksion personal që ai i kërkon. Dhe, ndoshta, duke nisur nga ndeshja e së dielës, me Atalantën, ai mund të futet në librin erekordeve.
Në lidhje me mbajtjen e portës të paprekur, rekordi i Juventusit si klub është ai i sezonit 1972- 1973, me 9 takime, ndërsa kuadrati i portës mbrohej nga legjenda Dino Xof.
Prandaj, duke mos pësuar në Bergamo, ai do të barazonte këtë rekord prej 9 ndeshjesh radhazi dhe Xofin, ndërkohë që do ta çonte pathyeshmërinë e tij në 836 minuta. Ky numër do ta katapultonte në vendin e tretë të rekordmenëve të portave italiane, duke iu afruar ish-milanistit Sebastiano Rosi që kryeson renditjen e të pathyeshmëve me 929 minuta dhe do t'i afrohej shumë Dino Xofit, i dyti në kuotën 903 minuta.
Por, ai do të parakalonte Davide Pinaton, Ivan Pelicolin dhe Mario Da Pocon.