e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ujkani mbetet ne Seria A

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ujkani mbetet ne Seria A
Pas një sezoni të shkëlqyer te skuadra e Novarës në Serinë A, tashmë Sajmir Ujkani është i gatshëm të veshë fanellën e Palermos. Lojtari i Kombëtares shqiptare ka bindur presidentin Zamparini, i cili nuk ka hezituar në asnjë moment të blejë kartonin e portierit. Në prononcim e tij të parë, në një nga mediat siciliane, Ujkani shprehet mjaft i kënaqur për transferimin e tij në Palermo.

“Më duhet ta pranoj se ka qenë një surprizë e bukur për mua të bëhesha pjesë e Palermos. Ditët e mia të para këtu kanë qenë shumë të mira dhe jam i gatshëm që të nis një tjetër aventurë në Serinë A me Palermon, skuadër që përfaqësohet në nivele të larta. Në fillim për mua është kënaqësi dhe më pas detyrim, që të bëj një paraqitje të mirë dhe të arrij objektivat sezonalë me skuadrën time të re. Për transferimin tim këtu, në radhë të parë, dua të falënderoj presidentin për besimin që më ka dhënë. Ai më ka telefonuar rreth dy muaj më parë, kur më ndodhi një dëmtim në fundin e kampionatit italian, duke më thënë se duhet të rikuperohesha sa më shpejt për të qenë pjesë e skuadrës së tij. Gjithashtu, ai më tha se duhet të isha edhe më i fortë, pasi donte që unë të përfaqësohesha në nivele të larta”, – ka deklaruar Ujkani.

Trajneri - Ujkani nuk harron të flasë mirë edhe për trajnerin e tij të ardhshëm te Palermo, Saninon. “Nuk e njoh personalisht, megjithëse jam përballur me të disa herë në fushën e blertë kur kemi luajtur kundër ekipeve që ai ka drejtuar. Mendoj se me Saninon do të kem një bashkëpunim të mirë, pasi ai është një profesionist. Gjithashtu, e ka mirëpritur faktin që unë do të jem sezonin e ardhshëm pjesë e Palermos.

Për të më ka folur edhe shoku im në skuadrën Kombëtare të Shqipërisë, Erjon Bogdani, i cili luan te Siena. Ai ka qenë më parë nën urdhrat e Saninos dhe më ka thënë se është një teknik që do të më mbështesë shumë në rrugën time te Palermo dhe do të bëjë që unë të ndihem mirë aty”, – ka përfunduar Ujkani.