e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Ujkani: Me detyruan te iki, Duka e di perse-ne

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ujkani: Me detyruan te iki, Duka e di perse-ne

Samir Ujkani ka treguar arsyen përse është larguar nga Kombëtarja shqiptare. Portieri i Palermos ka rrëfyer për eksperiencën si kuqezi dhe për momentin e vështirë që t’i thotë lamtumirë Shqipërisë. Ai i ka falënderuar të gjithë dhe ndihet krenar që do ta shkruajë historinë me përfaqësuesen e Kosovës. Shumëkush nuk e ka besuar që Samir Ujkani i ka thënë lamtumirë Kombëtares shqiptare dhe se do t’i bashkohet përfaqësueses së Kosovës në ndeshjen miqësore ndaj Haitit, e cila do të luhet më 5 mars. Por, portieri i Palermos në një intervistë për “Gazetën Express” në Kosovë, për herë të parë ka treguar arsyet përse është larguar nga Kombëtarja shqiptare dhe si ka vendosur që tani e tutje t’i mbrojë ngjyrat e përfaqësueses së Kosovës. 25- vjeçari tregon se e ka pasur shumë të vështirë t’i thotë lamtumirë ekipit kuqezi. Por, Ujkani tregon se ka qenë “i detyruar” ta marrë këtë vendim dhe se nuk e ka bërë me dëshirë.


Deklarata “Vendimin për t’u larguar nga Kombëtarja shqiptare e di presidenti Armand Duka. Unë nuk jam kundër këtij vendimi dhe as kundër FSHF-së, por janë disa presona brenda ekipit që më kanë detyruar ta marr këtë vendim shumë të vështirë”, – ka deklaruar Ujkani. Portieri në vitin 2007 ishte bashkuar me ekipin U-21 të Shqipërisë, ndërsa pas një viti kishte debutuar edhe me Kombëtaren A, ku ka zhvilluar 18 ndeshje. Ai ka falënderuar Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) që ia ka mundësuar ta realizojë ëndrrën të luajë me ekipin kuqezi. “Unë e kam refuzuar Belgjikën për Shqipërinë, sepse jam shqiptar. E falënderoj FSHF-në për mundësinë që më ka dhënë të luaj me Kombëtaren dhe të ndihem shqiptar”, – ka theksuar portieri i Palermos “Edhe një herë po e përsëris që nuk jam kundër Shqipërisë. Kush më njeh, e di që nuk kam pasur asnjëherë problem nëse kam mbetur në stolin rezervë apo në tribuna”, – ka shtuar ai. Edhe pse ka luajtur shumë ndeshje me ekipin kuqezi, Ujkani nuk mund të veçojë asnjë ndeshje. Ai thotë se të gjitha takimet kanë qenë si një ëndërr për të, dhe ka falënderuar tifozët për përkrahjen që i kanë dhënë Kombëtares në çdo ndeshje. “Të gjitha ndeshjet kanë qenë një ëndërr. Të luaj për popullin tim ka qenë diçka e madhe. Tifozët na kanë përkrahur në çdo ndeshje si brenda ashtu edhe jashtë vendi, dhe kjo ka qenë bukuria e eksperiencës sime. Unë mendoj se 80 për qind e suksesit të Shqipërisë u takon tifozëve, që vazhdimisht na kanë dhënë vullnet të luajmë”, – ka vijuar Ujkani.


Falënderon Dukën Ish-portieri i Novarës dhe Kievos e ka një falënderim të veçantë për numrin një të futbollit shqiptar, Armand Duka. “E falënderoj presidentin Duka shumë, sepse ka qenë afër meje gjithmonë. Ai më ka telefonuar kur kam qenë i lënduar, por edhe kur nuk kam pasur momente të mira me ekipin. Ai është interesuar gjithmonë për mua dhe ka qenë gjithnjë afër meje”, – ka deklaruar Ujkani.


I emocionuar për Kosovën Pas ndarjes me Kombëtaren shqiptare, Samir Ujkani eksperiencën do ta vazhdojë te përfaqësuesja e Kosovës qysh në ndeshjen ndaj Haitit, e cila do të zhvillohet më 5 mars në Mitrovicë. Ai është shumë i emocionuar që do të luajë për vendin ku ka lindur. “E falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës dhe atë të Shqipërisë që kanë arritur marrëveshje që unë të luaj për Kosovën. Për mua është diçka historike, pasi do ta luaj ndeshjen e parë zyrtare për vendim tim. Është emocionuese”, – ka thënë Ujkani. “Ne do t’ia nisim nga zero, gjithashtu duhet t’i japim kohë Federatës që të ngjitet hap pas hapi. Kosova ka talente të shumta si brenda ashtu edhe jashtë vendit, dhe është e rëndësishme të bëjmë një grup të fortë”, – ka theksuar vushtrriasi.

Largimi me sms


Ujkani u largua vetëm me një mesazh nga Kombëtarja. Ai i ka dërguar një sms në telefon teknikut italian, ku i kërkonte që të mos grumbullohej më nga Shqipëria. “Mirëmbrëma! Kam vendosur që të mos vij më në Kombëtare! Paçi fat….!”, – i ka shkruar portieri teknikut kuqezi. Në mënyrë disi të hidhur dhe jo fort profesionale për një lojtar që deri para pak kohësh luante në Serinë A në Itali, por që ka veshur edhe për plot 18 herë fanellën kuqezi.

“Shqipëria, në grup të vështirë”


Samir Ujkani e ka vlerësuar si të vështirë grupin e Kombëtares shqiptare për eliminatoret e Euro 2016. Ekipi kuqezi bën pjesë në Grupin I së bashku me Portugalinë, Danimarkën, Serbinë dhe Armeninë. “Grupi i Shqipërisë është shumë i vështirë nëse i shikojmë emrat e kundërshtarëve. Kombëtarja tri ndeshjet e para i ka shumë të vështira. Do t’i shkojë Portugalisë, pret Danimarkën dhe do të jetë mysafire e Serbisë. Pavarësisht kësaj duhet me qenë pozitivë dhe tifozët duhet të jenë afër Kombëtares”, – ka përfunduar Ujkani.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/kombetarja/ujkani-me-detyruan-te-lija-shqiperine-duka-di-arsyen/#ixzz2uXMBO1Sd