e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Fanella me Januzajn, greket cojne ne polici Shqiptarin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Fanella me Januzajn, greket cojne ne polici Shqiptarin

Dy ditë pritje te stadiumi, 420 euro prenotim i dhomës në hotelin ku ishte akomoduar Mançester Junajtid, 3 orë në komisariatin e policisë dhe në fund nuk ia doli të takohet me Januzajn… Kjo është historia e Drini Caushit, tifozit shqiptar që jeton në Athinë, i cili kishte planifikuar që t’i bënte një surprizë Adnanit meqë Mançesteri do të luante kundër Olimpiakosit, por gjërat kanë shkuar ters. Në një intervistë për “Panorama Sport” ai rrëfen se si Januzaj shoqërohej gjithnjë me 4 truproja dhe ishte lojtari më i survejuar i skuadrës angleze. “Një lojtar i izoluar që as e ka idenë se sa shumë e duan shqiptarët”, thotë Caushi. Ky i fundit shquhet si një “gjahtar” talentesh dhe hobi i tij është të takohet me yjet e futbollit, por me Januzajn kishte mision tjetër. “Thjesht doja që t’i bëja të ditur Januzajt sa shumë e duan shqiptarët”, tregon Caushi.

Drini, është e vërtetë që ju ka arrestuar policia greke?

Nuk më arrestoi, thjesht më shoqëroi dhe qëndrova 3 orë në komisariat.

Kjo ndodhi për shkak se donit të takonit Januzajn?


Po, por plani dështoi. Ndodh rrallë që të dështoj, por ja që nuk qe e thënë, megjithëse pata edhe mbështetjen e FSHF-së.

Si patët mbështetjen e FSHF-së?


Shikoni, unë kam negociuar shpesh me lojtarë shqiptarë që janë të pavendosur. E kam bërë këtë me Sotir Ninin, me Gjergji Konen dhe para pak kohësh edhe me Kaçen. Unë e di mirë se ata s’e kanë idenë se sa vlerësohen në Shqipëri. Kur kam arritur të bisedoj me ta, atëherë janë bindur, sikundër ndodhi me Kaçen. Këtë doja të bëja edhe me Januzajn.

Po, por ç’lidhje ka federata?


Unë fola me Dukën dhe i thashë se isha gati që t’i përcillja Januzajt gjithë pritshmëritë e shqiptarëve. Ia thashë planin që kisha, pra për të bërë disa bluza me emrin e tij dhe ai ma aprovoi. Tha që kishte mbështetjen e tij nëse bëhej fjalë për një demonstrim krejt qytetar.

Dhe çfarë ndodhi më pas?


Ne u organizuam, bashkë me afro 70 shqiptarë të tjerë. I bëmë bluzat me mbishkrimin “Albanian forever” dhe shkuam në aeroport ta prisnim, por aty na thanë se nuk kishte shanse të kishim kontakte me skuadrën e Mançesterit sepse do të dilnin nga një dalje dytësore. Dhe ashtu ndodhi.

Po pastaj çfarë bëtë?


Mendova të shkoj te hoteli ku ishte akomoduar skuadra, por ai ishte hoteli më i survejuar. Telefonova Dukën dhe i thashë se për të hyrë duhej patjetër të prenotoja një dhomë. Nuk e kam luksin që të shpenzoj 420 euro vetëm për një natë në një hotel si ai…

Çfarë ju tha Duka?


E bëri menjëherë. Qëllimi ishte të kishim mundësi të krijonim qoftë edhe një takim 4-5 minuta dhe t’i shprehnim vlerësimin e madh dhe t’i bënim të qartë sesa i rëndësishëm mund të jetë ai për shqiptarët. Ndërsa objektivi tjetër ishte që t’i jepnim Januzajt dy fanella të Shqipërisë me numrin 10, të cilat na i kishte bërë të mundur FSHF-ja.

Po çfarë ndodhi?


Hyra në hotel, takova edhe Patris Evranë. Fola me të dhe i kërkova që të bënte të mundur që Januzaj të zbriste në holl, por Evra më tha se mund të sillte cilindo lojtar, por jo Januzajn. “Është tërë kohën i survejuar. Nuk të ndihmoj dot”. Dhe në fakt Januzaj ishte i vetmi që nuk zbriti as për ushqimin. Ia dërguan në dhomë, sepse sinjalet i kishte marrë se këtu kishte shumë shqiptarë…

Prit pak, po flisni për Evranë, a thua sikur e keni pasur shok klase…Nga e njihni ju që t’i bëni një kërkesë të tillë?


E njoh nëpërmjet Edvin Muratit. Muratin e kam mik familje dhe ai më ka ndihmuar shpeshherë që të negocioj me lojtarët. Me Evranë kemi ndenjur pas ndeshjes së Francës në Tiranë së bashku edhe me Maludanë e Muratin. Aty e njoha Patrisin dhe tani më mban mend sepse e kam takuar edhe disa herë të tjera.

Çfarë ndodhi më pas?


Nuk mund ta takonim në hotel, ndaj siguruam tri bileta me ndihmën e Kristian Karembesë, që është drejtor sportiv i Olimpiakosit. Na ndihmoi Murati edhe në këtë rast, sepse e ka mik Karembenë. U bëmë gati ta takonim kur ishte duke hyrë për nxehje, por dolëm blof edhe aty, sepse klubi e kishte çuar te zona e quajtur “suita”. Pra nuk ishte as në stol. Megjithatë nuk u dorëzova dhe me ndihmën e disa gazetarëve shkova deri afër zonës ku mund ta shihja nga larg. Aty e pashë me sytë e mi se ishte tërë kohën i shoqëruar nga 4 truproja. Ishte e pamundur ta takonim.

Po më pas çfarë bëtë?


Pritëm të mbaronte ndeshja. Shkuam te zona ku bashkohet holli i gazetarëve me korridorin ku kalojë lojtarët. Kanë një rrjetë ndarëse, por mund t’u flasësh nga larg. Aty i thashë Januzajt se isha shqiptar dhe doja ta takoja, por më bëri me shenjë duke më thënë se nuk mundej, sepse ishte me truprojat. Kaq mjaftoi dhe më pas ndërhyri sigurimi i stadiumit dhe më nxorën jashtë.

Pra nuk e takuat dot…?


Jo, por shkova ditën tjetër (dje) që në mëngjes dhe kur po dilnin, ishte sërish Januzaj i fundit. Ai njeri ishte tërë kohën i fundit dhe i vetmi me truproja në ekip. Nuk më kanë parë sytë kurrë një gjë të tillë. Jam takuar me Maradonën dhe shumë yje të tjerë, por kurrë nuk kam parë një rast si ky. Doli i fundit edhe nga stadiumi megjithëse nuk kishte luajtur. Dilte i fundit nga autobusi, i fundit nga hoteli… gjithnjë i fundit dhe me truproja… Ai njeri ishte si i burgosur.

Çfarë i thatë në mëngjes?


Aty iu përvodha sigurimit të hotelit dhe të skuadrës së Mançesterit dhe me një fanellë të Kombëtares i dola para duke i thënë: Adnan, bëjmë një foto të paktën. Doja edhe t’i jepja fanellën me atë rast.


Pranoi të dilte në foto?


Jo, vazhdoi të ecte. Aty nisa të bërtas dhe t’i them se nuk mund t’i shpërfillë kështu shqiptarët, sepse ne e kemi një burrni. Në fillim vazhdoi të ecte, por pa hyrë në autobus, kur forcat e sigurisë më kishin kapur nga krahët u kthye dhe hapi krahët: “Nuk kam çfarë të bëj…”. U revoltova në atë moment edhe me Adnanin. e pashë që ai nuk kishte fuqi të bënte asnjë veprim me kokën e tij. Çdo gjë e kishte të komanduar.


Po pastaj çfarë ndodhi?


Më shoqëruan në polici, ku qëndrova tri orë. Nuk më bënë asgjë të keqe, thjesht nisën të talleshin policët edhe të më thoshin se nuk do dilja deri sa të ishte larguar avioni i Mançesterit.

Me babanë e Januzajt ke folur ndonjëherë?


Po, kam pasur kontakte deri në dhjetor dhe më tha se do pranonte një takim në Bruksel, por pas dhjetorit nuk ma ka hapur më telefonin. Të them të drejtën mua m’u krijua përshtypja se gjithë ajo “burgosje” e Januzajt ishte vepër e babait të tij. Nga ajo që kam kuptuar, Januzaj do luajë për Anglinë.


Januzaj nuk ishte fare në ndeshje. Sipas jush çfarë ndodhi?


Mendoj se mori sinjalet nga klubi dhe nga familja për organizimin e shqiptarëve. Ne ia bëmë të qartë edhe nëpërmjet një shqiptari që punon te mirëmbajtja e fushës, Filip Duka, se qëllimi ishte vetëm ta takonim përzemërsisht dhe t’i jepnim ato fanella, por si duket klubi u shqetësua dhe e dërgoi lart në tribunë.


Nuk mendoni se kjo është një strategji e gabuar për ta bindur Januzajn të zgjedhë Shqipërinë?


Nuk do t’i kërkonim kurrsesi ta bindnim. Thjesht do ta takonim edhe t’i shprehnim se sa shumë e duan shqiptarët. Do t’i jepnim edhe ato fanella për të cilat i ishim zotuar federatës. Ne nuk mund të bënim negociata me të, por mund t’i jepnim impaktin real se gjithë shqiptarët e presin krahëhapur…

Keni postuar në Facebook një foto me Bobi Çarltonin. Jeni fans i tij?


Jo, e takova rastësisht në hotelin e Mançesterit dhe i kërkova një foto. I thashë që jam shqiptar dhe m’u përgjigj: “Oh shumë mirë, por nuk kam biletë të të ndihmoj të hysh në stadium…”. Nisa të qesh, sepse kujtoi se po i kërkoja ndonjë nder…

Kush është Drini Caushi, “gjahtari i yjeve”


Ai ka mbi 120 fanella të skuadrave të ndryshme dhe, mbi të gjitha, fotografi përkrah çdo emri të madh që mund të të shkojë ndër mend, duke filluar që nga Pele, Maradona, Kaka, Platini, Shevçenko, Kapelo, Ferguson, Berluskoni, Kalderon, Shuster, Batistuta, Zidane, Bekam, Mateus e dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Ky është Drini Caushi, një tifoz i pasionuar pas sportit, i cili jeton prej vitesh në Greqi. Ai njihet edhe për shkrimet e shumta edhe në mediat sportive shqiptare, më së shumti intervista ekskluzive me personazhe që ka mundur t’i takojë personalisht. Sakaq, Drini Caushi ka punuar edhe për Federatën Shqiptare të Futbollit (madje vijon ende), kryesisht në zbulimin e talenteve të rinj që kanë dalë nga akademitë e futbollit të klubeve greke. Ai ka luajtur një rol të konsiderueshëm edhe në afrimin e Ergys Kaçes te Kombëtarja shqiptare, para një viti, kur mesfushori i PAOK-ut ishte i dyzuar mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Çfarë tha babai i Januzajt për Shqipërinë


Në një intervistë të pak javëve më parë në KTV, babai i Adnan Januzjat, Abedini, tregoi edhe arsyet se përse djali i tij nuk ka zgjedhur ende një Kombëtare. “Federata Shqiptare e Futbollit asnjëherë nuk ka bërë thirrje. FSHF-ja vetëm ka bërë dezinformata se e ka kontaktuar Adnan Januzajn. Madje, nuk i di edhe emrat si i kanë ata. Januzaj nuk e ka refuzuar FSHF-në, se nuk kam pasur kë të refuzoj, pasi nuk kam biseduar me askënd. Dikush mund të thotë se nuk e ka hapur telefonin. Nuk është vetëm numri i telefonit një provë. Është Mançester Junajtid ku duhet të shkojnë dhe ta bëjnë kërkesën”, tha ai.

De Biazi


Trajneri Xhani de Biazi ka theksuar se ka provuar disa herë që të lidhet me babanë e talentit kosovar, por ka qenë e pamundur. “I kam shkruar mesazhe dhe i kam telefonuar, por nuk më është përgjigjur asnjëherë”, ka pohuar tekniku kuqezi. Madje italiani lëshoi edhe një batutë, e cila bëri xhiron e botës: “Më kollaj takoj Papën e Romës, sesa Abedin Januzajn”.