Real Madridi ben spektakel ndaj Shalkes
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Real Madridi ka treguar se nuk i frikësohet më transfertave në Gjermani, duke fituar me një goleadë të thellë 6-1 kundër Shalkes në Ligën e Kampioneve. Madrilenët kërkonin një fitore të qetë për të mos vënë në diskutim kualifikimin, por as ata nuk e kishin imagjinuar se do të ktheheshin në skuadrën e parë spanjolle që shënonte 6 gola në fushën e një ekipi gjerman.
Gjithçka ishte shumë e thjeshtë për ekipin e Ançelotit, falë magjive të treshes Benzema-Beil-Ronaldo që nuk e ka të vështirë të depërtojë në mbrojtjen gjermane. Nëse pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me rezultatin 2-0 në favor të Realit, vendasit duhet të falënderojnë Kristino Ronaldon që humbi disa raste para portës së tyre. Portugezi ishte protagonist si në golin e Benzema, ashtu edhe në atë të Beil, ndërsa kërkonte me ngulm që të gjente edhe vetë rrjetën. Ai ia arriti qëllimit në pjesën e dytë, duke hyrë në histori si futbollisti i parë që shënon 10 a më shumë gola në tre sezone të ndryshme në këtë turne. Por madrilenët nuk ndalen këtu, pasi me radhë, treshja Benzema-Beil-Ronaldo gjen përsëri rrjetën, duke çuar në 6-0 rezultatin e sfidës. Mund të kishte qenë ndeshja perfekte po të mos ishte për magjinë e minutës së parë shtesë të Huntelar, i cili mposhti Kazijas me një gjuajtje fluturimthi nga jashtë zonës, duke i dhënë fund paprekshmërisë së portës së tij që zgjaste prej 952 minutash. Gjithsesi, Ançeloti duhet të jetë i kënaqur që në pikën më të rëndësishme të sezonit, treshja e sulmit që ka marrë nofkën BBC, është në një formë të jashtëzakonshme. Deri tani, këta tre futbollistë bashkë kanë realizuar 70 gola, ku 36 janë shënuar nga Ronaldo, 20 nga Benzema dhe 14 nga Beil. Fakti se Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde të njëpasnjëshme dhe është bërë njëkohësisht futbollisti i tretë me më shumë gola në Ligën e Kampioneve, me 61 të tillë, ka kthyer madrilenët në favoritë për fitoren e trofeut.
Një ndeshje shumë më e luftuar ka qenë ajo e Stambollit, ku Gallatasaraj dhe Çelsi janë ndarë në barazim 1-1. Murinjo kishte instruktuar skuadrën e tij të përdorte presing të lartë dhe kundërzbritje të shpejta për të mposhtur ekipin turk, i cili kërkonte një rezultat para tifozerisë së vet. Manovra rezulton e suksesshme, pasi që në fillim është Çelsi që krijon rastet më të mira dhe gjen shpejt avantazhin, me anë të Fernando Torres. Kjo është një goditje e rëndë për vendasit, që për shumë minuta e kanë të vështirë të krijojnë raste, edhe pse zotërojnë më shumë topin. Çelsi shpërdoron disa mundësi të tjera të mira për të dyfishuar rezultatin, gabime që do t’i kushtojnë shtrenjtë në pjesën e dytë, kur Gallatasaraj shfaqet më i vendosur në lojën e vet. Skuadra turke fillimisht godet shtyllën me anë të Inan, ndërsa më pas, është Shedju që gjen golin e barazimit, në një moment përgjumjeje të londinezëve në zhvillimin e një goditje nga këndi. Tashmë Gallatasaraji beson se mund të kthejë plotësisht rezultatin në favorin e vet dhe sulmon me të gjitha forcat. Por pavarësisht dominimit të vazhdueshëm, e vetmja gjë për t’u shënuar deri në vërshëllimën përfundimtare është gjuajtja e Tejes që Çeh devijon me vështirësi mbi traversë. Ndaj ndeshja mbyllet me barazimin 1-1, që gjithsesi sheh si favorit Çelsin, falë golit të shënuar në fushën kundërshtare, goli i vetëm i shënuar nga një skuadër angleze në Kupat e Europës gjatë vitit 2014.
Liga e Kampioneve
Rezultatet
Shalke-Real Madrid 1-6
90’+1’ Huntelar / 13’, 57’ Benzema, 21’, 69’ Beil, 57’, 89’ Ronaldo
Gallatasaraj-Çelsi 1-1
64’ Shedju / 9’ Torres
Të martën
Zenit-B. Dortmund 2-4
57’ Shatov, 69’ (p) Hulk / 4’ Mkhitarian, 5’ Rojs, 61’, 71’ Levandovski
Olimpiakos-M. Junajtid 2-0
33’ Dominguez, 55’ Kampbell