Udhëton me low cost: Do të ulim shpenzimet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Xhani Infantino ka vendosur të ulë shpenzimet e FIFA-s dhe ndryshimi fillon nga vetja. Presidenti i institucionit më të lartë në futbollin botëror, i cili u zgjodh përpara pak ditësh, ka vendosur të udhëtojë me kompaninë ajrore "easyJet".
Kjo e fundit është e njohur për çmimet e ulëta dhe presidenti Infantino e përdori për të shkuar nga Gjeneva në Bristol. Ai e ka komentuar këtë veprim dhe ka thënë se të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm në vendimet dhe veprimet që marrin.
"Ishte opsioni më i mirë për mua dhe prandaj vendosa të udhëtoja me një kompani të tillë. Duhet të shkoja në UEFA për të përshëndetur miqtë e mi.
Ne jemi njerëz normalë dhe duhet të sillemi si të tillë. Do të ketë ditë edhe kur do të më duhet të fluturoj me avion privat, por tani nuk është momenti. Nëse më duhet të shkoj në një vend për punë urgjente duhet ta bëj diçka të tillë.
Në FIFA të gjithë duhet të punojnë për të ulur shpenzimet, sepse gjatë gjithë kësaj kohe kemi vuajtur për këtë fakt. Ndryshimi do të fillojë nga unë dhe të gjithë duhet të jemi të përgjegjshëm me shpërdorimin e parasë", tha Infantino.