Udhëtojnë me autobus, Shadini: Na gënjejnë prej 10 vitesh
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Volejbolli në Elbasan është në "hall". Kjo, jo vetëm për sa u përket rezultateve, por edhe problemeve të mëdha financiare që kanë kapur në përgjithësi sportin, aq sa ekipet nuk kanë një mjet për të udhëtuar.
Arrijnë deri aty sa paguajnë nga xhepi i tyre për udhëtimet, ndërkohë që presupozohen se janë sportiste profesioniste. Këtë skandal e denoncojnë vajzat e volejbollit të ekipit të Elbasanit, më saktësisht sportistja Ema Shadini.
Në rrjetin social "Facebook", Shadini "shfryn" ndaj autoriteteve përgjegjëse për klubin dhe thekson se në këtë mënyrë nuk mund të vazhdohet më. Bëhet fjalë për takimin e së shtunës, të cilën vajzat e volejbollit të Elbasanit e luajtën ndaj Barleti Volej në Tiranë, ku u mundën 3-0.
Drejt kryeqytetit ky ekip ka udhëtuar me autobusë të linjës, si dhe me urban, si gjatë vajtjes edhe gjatë kthimit. Ja postimi i plotë i Shadinit në "Facebook".
"Ja si 'katandisen' sportistet që përfaqësojnë ngjyrat verdheblu! U bënë plot 10 vite që ne mundohemi të përfaqësojmë denjësisht qytetin tonë dhe mund të them me plotgojën që ia kemi arritur!
Por, çfarë kemi marrë si shpërblim? Asgjë.
Ah, jo, harrova, kemi marrë GËNJESHTRA pa fund... Epo të dashur 'sportdashës' kështu nuk ia vlen, fundja pasioni i kultivuar prej kaq shumë vitesh këtu arriti limitin! Nuk mund t'u biem më në qafë familjeve apo të kërkojmë sponsorë sa herë kemi nevojë.
Kur ju nuk na vlerësoni, edhe ne të njëjtën gjë do të bëjmë!", shprehej në profilin e saj Ema Shadini, indinjatë të cilën e plotësonte edhe me foto nëpër urbanet e Tiranës. Ky nuk është rasti i parë që këto vajza udhëtojnë me paratë e tyre, ndërkohë që edhe sportet e tjera kanë pothuajse të njëjtat probleme në këtë qytet. Vladimir Mema