Skandal në Shkodër, bileta të basketit në ndeshjet e volejit
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Në Shkodër, në pallatin e sportit "Qazim Dervishi", askush nuk do të futet më pa biletë për të parë qoftë edhe një ndeshje mes ekipeve të të rinjve.

Tifozet e Vllaznisë me biletat e gjysmëfinaleve të basketbollit në ndeshjen e volejbollit Vllaznia-Partizani.
Një politikë e re kjo që ka për qëllim gjenerime të të ardhurave përmes biletave. Deri këtu gjithçka është në rregull. Në ndeshjen e fundit që u luajt mes Vllaznisë në volejboll për femra dhe Partizanit janë detyruar që të paguajnë edhe ish-sportistët, veteranë që kanë dhënë jetën për sportin dhe volejbollin.
Në të njëjtën kohë janë të detyruar të paguajnë biletën për të parë të rriturit edhe ekipet e të rinjve në volejboll, basketboll dhe çdo sport tjetër. Po ashtu biletë duhet të paguajnë edhe vetë prindërit që sakrifikojnë shumë në kushtet që jemi për t'i sjellë fëmijët e tyre për të bërë sport.
Nëse këta të fundit, prindërit edhe mund ta kenë një lloj justifikimi, si mund të justifikohet prerja e biletës nga emra si Bukurije Miloti, Millojka Vaso, Ganxhe Rexhepi apo edhe trajnerja e të rejave në volejboll, Alda Kaçorri. Edhe pse ish-sportiste dhe madje disa prej emblemave të volejbollit për femra në ndeshjen Vllaznia-Partizani janë detyruar që të paguajnë.
Natyrshëm një absurditet. Ata që "lanë kockat" në atë pallat sportit për ngjyrat kuqeblu pa marrë asgjë atëherë, por pa u vlerësuar siç duhet edhe sot, përveç kësaj harrese totale, duhet që edhe të paguajnë 100 lekë të rinj për biletën. Mbase për 4 ish-volejbollistet nuk është problem çmimi deri diku simbolik sesa zhvlerësimi total ndaj kontributit të madh dhe emocioneve që dhanë gjatë gjithë karrierës sportive.
Në të njëjtën kohë ekipet e të rinjve është e pakuptueshme se pse duhet të detyrohen të paguajnë kur janë pjesë e klubit. Në një të nesërme do të duhet të paguajë në basketboll edhe Renato Radoja, mjeshtri i basketbollit apo edhe ikona të tjera të sportit në Shkodër që me mundin e tyre ndërtuan këto ekipet e Vllaznisë, historinë e saj me të cilën ne sot krenohemi. Dhe jo vetëm ne, edhe këta që u kërkojnë para biletash.
Për të mos thënë pastaj se në një ndeshje volejbolli u shitën biletat e gjysmëfinales së basketbollit të meshkujve, çka lë qartazi vend për abuzim. Nuk është koha e llogarive! Sot është koha që t'i afrojmë njerëzit te sporti dhe ta mbushim pallatin e sportit në Shkodër! Për t'i larguar është shumë kollaj!
Përgatiti:Senad Nikshiqi