UEFA 400 mln leke FSHF-se per te rinjte
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Federata Shqiptare e Futbollit ka arritur të përfitojë më shumë se 400 milionë lekë (ekzaktësisht 403.200.000) nga një projekt i miratuar tashmë edhe nga UEFA mbi futbollin e të rinjve. Bëhet fjalë për pjesëmarrjen në një të ardhme të afërt, ndoshta që sezonin tjetër, edhe të një skuadre të rinjsh në kompeticionin më të rëndësishëm në kontinent, Champions League. Pak kohë më parë, sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së pat dërguar në selinë e UEFA-s një projekt mbi mundësinë e përfshirjes edhe të një skuadre shqiptare në këtë kompeticion, dhe jo më larg se dy ditë më parë ka mbërritur konfirmimi. Menaxheri i përgjithshëm i programit “Hat Trick”, Mohamed Taa, ka pohuar se projekti i federatës është miratuar dhe se në llogarinë e saj do të kalojë një shumë prej gati 288 mijë eurosh ose mbi 400 milionë lekë, për të bërë të mundur realizimin e këtij projekti.
Ky mund të konsiderohet si një plus për futbollin e të rinjve në Shqipëri, kjo pasi edhe këta të fundit do kenë mundësi që të reklamohen në futbollin që vlen. Përkrah Champions League për skuadrat e parë, UEFA ka nisur të njëjtin kompeticion edhe te të rinjtë. Për sezonin aktual 2013-2014, marrin pjesë 32 skuadra (tani kanë mbetur 16). Bëhet fjalë për të gjitha skuadrat e të rinjve që kanë në këtë kompeticion edhe skuadrën e parë. Madje, shorti, si dhe datat e ndeshjeve, janë të njëjta. Kështu, për shembull, në të njëjtën ditë kur luhej Juventus-Real Madrid, zhvillohej po kjo ndeshje, por në nivelin e të rinjve. Dhe i diferencon fakti që nuk është e thënë të kualifikohet skuadra e parë dhe të njëjtën gjë të bëjë edhe ajo e të rinjve.