e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Gjici: FSHF, nje ngrehine e krimbur, duhet shkundur

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gjici: FSHF, nje ngrehine e krimbur, duhet shkundur

Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, në një prononcim për “Panorama Sport” ka deklaruar se e keqja Kukësit këtë herë i erdhi nga drejtuesit e Skënderbeut, të cilët dirigjojnë si të duan dhe tërheqin për hunde FSHF-në, pasi janë në pazare të pista mes tyre dhe në biznese fitimprurëse, duke shfrytëzuar edhe futbollin shqiptar. “Të them të drejtën, edhe ekstremistit më të madh dhe njeriut më antikuksian nuk do t’i kishte shkuar në mendje ky ndëshkim. As analistëve pro-Skënderbe dhe anti-Kukës nuk u kishte vajtur në mend ky ndëshkim barbar e mesjetar. Ai ngjan me gjyqet politike të viteve `70, kur njerëzve u komunikoheshin një lumë akuzash bajate dhe pushkatoheshin nga gjykatat popullore. Shkurt dhe shqip: arbitrit i është thënë nga FSHF-ja dhe drejtuesit e Korçës, provoko sa të mundesh që ata të reagojnë dhe ne t’i dënojmë, në mënyrë që Skënderbeu të jetë i vetëm drejt titullit. Masakra ndaj nesh ishte e paralajmëruar me kohë. Pas zmbrapsjes së Flamurtarit me skenarë të shkruar në Korçë, sërish duhej rishikuar edhe një tjetër skenar dhe këtë herë viktima do të ishte Kukësi. FSHF-ja ka mbetur i vetmi institucion i bunkerizuar dhe i krimbur nga padrejtësitë dhe trafiqet në futboll. Kjo ngrehinë e krimbur duhet shkundur njëherë e mirë nga uzurpatorët”.