Juventusi dhe Napoli, dy pretendente shkojne ne Europa League
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Juventusi dhe Napoli i kanë dhënë lamtumirën Ligës së Kampioneve, por për të ruajtur nderin e skuadrave italiane ka menduar Milani, që është e vetmja që ka kaluar në turin tjetër, edhe pse mes shumë peripecish. Këto kanë qenë verdiktet më të rëndësishme të ndeshjeve të së mërkurës, të cilat kanë dhënë panoramën e plotë të 16 skuadrave që do të vazhdojnë luftën për trofeun e këtij edicioni të Ligës së Kampioneve, me shortin që hidhet ditën e hënë.
E mërkura ka filluar me një ndeshje të së martës, ose më saktësisht me rreth 60 minutat që kishin mbetur nga sfida Gallatasaraj-Juventus. Dy skuadrat janë kthyer në “Turk Telekom Arena” për të vazhduar ndeshjen e lënë në mes një ditë më parë, në kushte ekstreme, pasi fusha ishte dëmtuar nga reshjet e shumta të borës. Juventusit i mjaftonte edhe një barazim, por nuk ka arritur ta ruajë portën të paprekur, pasi në minutën e 85-të, dyshja Drogba-Shnajder ka prodhuar golin e fitores 1-0 për turqit. Ky rezultat kualifikoi Gallatasarajin në turin tjetër, ekipi i parë që kalon fazën në grup me një golavarazh -6, ndërsa Juventusi duhet të kënaqet me pjesëmarrjen në Europa League.
Emocionet e ditës kanë vijuar në Grupin F, ku Napoli, Arsenali dhe Borusia Dortmund luanin për kualifikimin. Gjithçka është zgjidhur në minutat e fundit të sfidave, duke kaluar në turin tjetër Borusia Dortmundin dhe Arsenalin, ndërsa Napoli shkoi në Europa League vetëm falë golavarazhit, ndonëse siguroi 12 pikë. Napolitanët bënë “pjesërisht” detyrën, duke mundur 2-0 Arsenalin, por i duhej një sukses me të paktën tre gola diferencë për të pasur garancinë e kualifikimit. Lajmet që vinin nga Marseja ku ekipi vendas po i rezistonte Borusia Dortmundit, u kthyen në trishtim në minutat e fundit, kur Groskrojc i dha fitoren 2-1 dhe vendin e parë në grup finalistëve të sezonit të kaluar.
Po me aq ankth është përjetuar sfida mes Milanit dhe Ajaksit në Grupin H, e ndërlikuar nga skuadra italiane pas kartonit të kuq të Montolivos në minutën e 22-të. Milani ka menduar gjatë minutave të mbetura vetëm të mbrojë portën e vet dhe ia ka dalë me sukses deri në vërshëllimën përfundimtare, duke u bërë skuadra e vetme italiane që arrin të kalojë në turin tjetër të turneut. Ndeshja tjetër e këtij grupi ka dekretuar Barcelonën në vendin e parë, pas një goleade 6-1 ndaj Sëlltik, ku ka shkëlqyer sidomos Neimar. Braziliani shënoi 3 gola në këtë sfidë, duke luajtur si “9 e fshehtë”, për të treguar se nëse është e nevojshme, mund të mbulojë mjaft mirë vendin e lënë bosh nga Mesi.
Në Grupin E, Çelsi e ka pasur shumë të thjeshtë të sigurojë vendin e parë falë fitores minimale 1-0 ndaj Steaua Bukuresht. Në një ndeshje të dominuar tërësisht nga ekipi anglez, diferencën e bëri autogoli i Georgievskit në minutën e 10, që mjaftoi për ekipin e Murinjos. Vendi i dytë në këtë grup i shkoi Shalkes që fitoi sfidën direkte ndaj Bazelit me rezultatin 2-0. Ishin vetë miqtë që i dhanë një ndihmë që në minutën e 31-të të ndeshjes kur Ivanov u ndëshkua me karton të kuq. Në epërsi numerike, skuadra gjermane dominoi dhe kaloi fillimisht në avantazh me Draksler, ndërsa më pas mori një tjetër dhuratë, këtë herë nga vijërojtësi, i cili nuk sinjalizoi pozicionin e dukshëm jashtë loje të Matip në golin e dytë.
Skuadra e dytë e kualifikuar në Grupin G, ku ka dominuar Atletiko Madrid, është Zenit Shën Petersburg. Skuadra e drejtuar nga Luçiano Spaleti ka arritur të kualifikohet edhe pse ka regjistruar një humbje të bujshme 4-1 në fushën e Austrisë së Vjenës. Ndonëse rusët kaluan në avantazh me Kerzhakov, përgjumjet e njëpasnjëshme në mbrojtje u kushtuan shumë shtrenjtë atyre duke pësuar katër gola. Por fatmirësisht, Atletiko Madridi ka bërë detyrën ndaj Portos, duke i mundur 2-0 portugezët dhe duke i bërë të mundur Zenitit që t’i gëzohet kualifikimit të mëtejshëm në Ligën e Kampioneve.
Të kualifikuar
Vazo 1
Mançester Junajtid, Real Madrid, PSG, Bajern Mynih, Çelsi, Borusia Dortmund, Atletiko Madrid, Barcelona
Vazo 2
Bajer Leverkusen, Gallatasaraj, Olimpiakos, Mançester Siti, Shalke, Arsenal, Zenit, Milan
Shorti i fazës së parë me eliminim direkt hidhet më 16 dhjetor
Europa League
Shakhtar Donjetsk, Juventus, Benfika, Viktoria Plzen, Bazel, Napoli, Porto, Ajaks
LIGA E KAMPIONEVE
GRUPI A
M. Junajtid-Sh. Donjetsk 1-0
67’ Xhouns
R. Sociedad-B. Leverkusen 0-1
49’ Toprak
Renditja: M. Junajtid 14 pikë, B. Leverkusen 10, Sh. Donjetsk 8, R. Sociedad 1.
GRUPI B
Kopenhagë-Real Madrid 0-2
25’ Modriç, 49’ Ronaldo
Gallatasaraj-Juventus 1-0
85’ Shnajder
Renditja: Real Madrid 16 pikë, Gallatasaraj 7, Juventus 6, Kopenhagë 4.
GRUPI C
Benfika-PSG 2-1
44’ (p) Lima, 58’ Gaitan / 37’ Kavani
Olimpiakos-Anderleht 3-1
34’, 58’ Saviola, 90’+5’ (p) Dominguez / 40’ Kljestan
Renditja: PSG 13 pikë, Olimpiakos 10, Benfika 10, Anderleht 1.
GRUPI D
Bajern Mynih-M. Siti 2-3
5’ Myler, 11’ Gëtce / 28’ David Silva, 59’ (p) Kolarov, 62’ Milner
Viktoria Plzen-CSKA Moskë 2-1
77’ Kolar, 90’ Vagner / 66’ Musa
Renditja: Bajern Mynih 15 pikë, M. Siti 15, Viktoria Plzen 3, CSKA Moskë 3.
GRUPI E
Shalke-Bazel 2-0
51’ Draksler, 57’ Matip
Çelsi-Steaua Bukuresht 1-0
10’ (ag) Georgievski
Renditja: Çelsi 12 pikë, Shalke 10, Bazel 8, Steaua Bukuresht 3.
GRUPI F
O. Marsejë-B. Dortmund 1-2
14’ Diauara / 4’ Levandovski, 87’ Groskrojc
Napoli-Arsenal 2-0
73’ Higuain, 90’+3’ Kajehon
Renditja: B. Dortmund 12, Arsenal 12 pikë, Napoli 12, O. Marsejë 0.
GRUPI G
Atletiko Madrid-Porto 2-0
14’ Garcia, 37’ Diego Kosta
Austria Vjenë-Zenit 4-1
44’, 51’ Hosiner, 48’ Jun, 90’+3’ Kinast / 35’ Kerzhakov
Renditja: Atletiko Madrid 15 pikë, Zenit 6, Porto 5, Austria Vjenë 5.
GRUPI H
Milan-Ajaks 0-0
Barcelona-Sëlltik 6-1
7’ Pike, 40’ Pedro, 45’, 48’, 58’ Neimar, 72’ Tejo / 88’ Samaras
Renditja: Barcelona 13 pikë, Milan 9, Ajaks 8, Sëlltik 3.