e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

U rrit te Napoli tani e sfidon, ja historia e Xhixho Donarumës

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
U rrit te Napoli tani e sfidon, ja historia e Xhixho Donarumës

Nga Napoli në Salerno, autostrada sheh gjithmonë nga deti.

during the Serie A match between AC Milan and US Sassuolo Calcio at Stadio Giuseppe Meazza on October 25, 2015 in Milan, Italy.

Në dalje të Kastelamares tundohesh gjithmonë për të shkuar drejt brigjeve sorrentine, por nëse vazhdon në drejtim të Granjanos dhe duke u kthyer pas një kilometër, në të djathtë syri të kap një fushë me bar sintetik ku stërvitet ASD Klub Napoli.

Pikërisht aty ka hedhur hapat e parë Xhanluixhi Donaruma, portieri adoleshent i Milanit, që të hënën do të bëjë debutimin e tij në "San Paolo", një stadium të cilin nuk e ka shkelur as si spektator, prandaj kjo e bën edhe më speciale këtë ndeshje për 16-vjeçarin.

Qyteti i portierëve

Pra, mirësevini në Kastelamare të Stabias, qyteti i ujërave dhe i... portierëve. Ujërat termalë ishin të famshëm që në kohët e romakëve, por sot kjo qytezë mund të mburret edhe me faktin se është më e famshmja për formimin e portierëve të Italisë.

Pikërisht kështu, sepse Xhixhone (nga këto anë të gjithë kështu e thërrasin) është vetëm "nxënësi" i fundit i formuar aty, por në të njëjtën kohë është edhe i "shenjtëruari" i Ernesto Ferraros, përgatitësit i cili ka lëshuar drejt Serisë A edhe emra të tjerë të njohur si De Luçiao, Çeçere, Iexo dhe Mirante. Dy të fundit janë autoktonë të qytetit të Stabias, ashtu sikurse janë edhe Donarumat.

Faktikisht, përpara Xhanluixhit, "duart" e Ferreros gdhendën vëllanë e madh të milanistit, Antonion, sot pjesë e Xhenoas.

Ferrero, 71-vjeçar, i cili në kohët e fundit është pushtuar nga një sëmundje, i ndjek gjithmonë në televizor ndeshjet e Milanit, por nuk është e thënë që do ta shohë edhe sfidën kundër Napolit, për arsye shëndetësore.

Thuajse interist

Donaruma është rritur tek ASD Klub Napoli, aty ku e dërgoi xhaxhai i tij Enriko (ish-portier i Juve Stabias), të cilit presidenti i Sampdorias, Masimo Ferrero, i ofroi një bashkëpunim:

"Xhixhone, për ne, luante gjithmonë nën moshë, pra me më të mëdhenjtë, - tregon Çiro Amore, presidenti i shkollës së futbollit. - Kur shpërtheu fizikisht, për të u turrën të gjitha skuadrat më të rëndësishme të Italisë, përfshirë edhe Napolin.

Por, pas disa bisedimeve, ne e mbyllëm transferimin e tij tek Interi, me përgjegjësin e sektorit të të rinjve zikaltër, Samaden, i cili erdhi personalisht në Kastelamare për të folur me mua dhe me babanë e Xhixhos, që djaloshi të zgjidhte ngjyrat zikaltër.

Unë, Donaruma, por edhe dy prindërit e tij shkuam në Milano për pesë ditë, madje Xhixho u regjistrua edhe në shkollë aty. Me pak fjalë, ishte gjithçka e mbyllur.

Por kur u rikthyem në Kastelamare, Milani u tregua më konkret, sepse Enxo, kushëriri i Mino Raiolës (menaxheri i Balotelit, Ibrahimoviçit dhe Pogbasë), i tha Galianit se nuk mund dhe nuk duhej ta humbte këtë okazion. Dhe kështu, brenda pak orëve, Xhixhone firmosi me kuqezinjtë".

Rrënjët dhe largpamësia

Babai Alfonso, që për profesion bën marangozin, ka simpati milaniste. Prandaj, ai ka qenë shumë i lumtur që e dërgoi Xhixhonen te "Djalli".

"Jam edhe më i lumtur për faktin se kam rritur dy fëmijë që kanë vlera të mëdha njerë- zore përpara atyre sportive. Të shohësh Xhanluixhin të luajë në 'San Paolo' do të jetë një emocion i madh.

E gjithë familja do të jetë prezente në stadium, sepse pas shumë udhëtimesh të gjata nëpër transferta të ndryshme ndër vite, këtë herë për ne do të jetë sikur luajmë pranë shtëpisë, duke parë afërsinë me shtëpinë tonë".

Dhe, duke qëndruar te shtëpia, Donaruma është rikthyer në Pompei, ku jetojnë prindërit, në fillim të javës. "Ai i ka të forta rrënjët dhe ndjenjën e napolitanit, - shpjegon Alesandro Paçifiko, një mik shumë i vjetër i Donarumës. -

Për këtë, shpreson në një pritje të ngrohtë në 'San Paolo', edhe pse do të jetë kundërshtar i të kaltërve". Paçifiko punon në radhët e të rinjve të Salernitanës dhe me shumë përgatitës të tjerë të portierëve në zonën që menaxhon "Shkolla Numër Një" (e rezervuar vetëm për ata që luajnë futboll me doreza në duar).

Qëllimi është ai i të ringjallurit të lavdisë së shkollës së Stabias, të cilës i përkiste edhe Xhenaro Iexo (ish-portieri i Napolit të Edi Rejas), një prej themeluesve të këtij institucioni.

Ai i njeh Ferraros dhuntinë e mprehtësisë në leximin e talenteve, ndërsa Donarumës dhuntitë e padiskutueshme të kampionit. "Xhixhone është një fenomen, por ka pasur edhe një mentor, një mësues, një këshilltar të madh.

Vite më parë, Ferraron e intervistuan për të folur për mua dhe për Miranten (portieri aktual i Bolonjës, i cili formimin e mori shumë i ri te Juventusi), por ai përfitoi nga ai rast për të nënvizuar se në shkollën e futbollit ishte një djalë i vogël, vetëm 8-vjeçar, pikërisht Xhixhone, i cili do të mbërrinte shpejt në kombëtare".

Dhe, ndoshta, nëse Donaruma nuk do të jetë pjesë e skuadrës që do të shkojë në këtë Europian, pa dyshim që Botërorin 2018 nuk do ia mohojë askush...