e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Turqia, pa meshire 6-1 ndaj Kosoves

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Turqia, pa meshire 6-1 ndaj Kosoves

Kosova shënon golin e parë në histori, por edhe humbjen e parë në ndeshjen e dytë ndërkombëtare në rang kombëtaresh “A”. Sulmuesi i Kaizerslauternit në Gjermani, Albert Bunjku, ka qenë autori i golit, duke hyrë kështu në librin që sapo ka nisur të shkruajë përfaqësuesja e Kosovës. Sulmuesi shfrytëzoi si duhet një kthim të topit në zonën e vogël nga portieri turk, për ta dërguar lehtësisht dhe qetësisht në rrjetë. Përtej kësaj, duhet thënë se kosovarët njohën fjalën humbje që në ndeshjen e dytë, madje edhe me një rezultat gati tenistik. Kombëtarja e drejtuar nga Fatih Terim, edhe pse me formacionin e saj të dytë, u ka dhënë një “shuplakë” të kaltërve të Albert Bunjakit, duke nxjerrë në pah mungesën e kohezionit dhe të konsolidimit të një grupi që luante ndeshjen e dytë që pas lejes së dhënë nga FIFA.

Miqësorja - Kosovë-Turqi ishte e veçantë për trajnerin turk, Fatih Terim, pasi kjo sfidë figuronte e 100-ta për të në karrierë si trajner i kësaj përfaqësueseje. Sakaq, Terim si rrallë ndonjëherë në një fushë kundërshtare dhuroi duartrokitje për publikun e pranishëm para nisjes së miqësores, teksa këta të fundit u ngritën të gjithë në këmbë për ta përshëndetur. Dhe pas një minute heshtje për viktimat e katastrofës në minierën turke, nisi ndeshja. Nuk kalojnë më shumë se dy minuta dhe përfaqësuesja turke shënon: Ilhan Ozek zhbllokon shifrat pas një gabimi të mbrojtjes vendëse. Më pas, loja duket e përqendruar më së shumti në mesin e fushës. Kosova regjistron rrezikun e parë të saj në zonën turke pas 19 minutash lojë. Përmes një harkimi nga Faton Toski, topi shkon paksa më lart se duhej për Albert Bunjakun e Dardan Rexhepin që s’e arrijnë dot me kokë. Dhjetë minuta para mbarimit të pjesës së parë ka emocione të shumta në “Adem Jashari”. Dy gola shënohen flakë për flakë. Fillimisht dyfishon shifrat kapiteni turk, Bilal Kisa, dhe më pas shënon golin e parë për Kosovën Albert Bunjaku.


Goleada - Fraksioni i dytë i lojës foli i gjithë për turqit, të cilët shënuan edhe katër herë në portën e Mushicës me anë të Olçaj Shahan, Mustafa Pektemek (dopietë) dhe Potuk me penallti. Shkak për çoroditjen e kosovarëve u bënë edhe ndryshimet e shumta në skuadër për shkak të zëvendësimeve që bëri trajneri Bunjaki. Në fund ka vend edhe për Zhdrellën në sulm e Jashanicën në mbrojtje, ashtu si edhe për Ylli Hoxhën, por rezultati nuk ndryshon dhe Kosova humb me Turqinë.

Bunjaku: Kjo, një humbje që na vlen


Albert Bunjaku ka thënë se humbja nga Turqia ishte e pritur, por kjo sfidë ishte e mirë për zhvillimin e Përfaqësueses së Kosovës. Ai premton ndryshime për sfidën ndaj Senegalit. “Unë nuk mendoj se rezultati është në plan të dytë kur kemi të bëjmë me futboll. Gjithsesi, edhe futbolli ka disa nivele. Sonte (dje) pësuam gol shumë shpejtë duke ndikuar në mënyrë psikologjike. Për ne ishte e rëndësishme të kishim një ndeshje ndaj një kundërshtari të tillë, me një kualitet të lartë. Këtë ndeshje nuk do ta analizojmë fare dhe nuk kemi kohë. Duhet të gjejmë zëvendësime për disa lojtarë, të cilët i kemi pasur vetëm për këtë ndeshje”, – përfundoi Bunjaku.

Terim: FIFA – UEFA të pranojnë Kosovën


Trajneri i Turqisë, Fatih Terim, ka theksuar se sfida ndaj Kosovës ishte mesazhi më i mirë që FIFA dhe UEFA duhet ta pranojnë Kosovën. “Këtë ndeshje mund ta shohim nga shumë aspekte. Aspekti i parë është se po e njohim Kosovën si shtet. Se Kosovën duhet ta njohë edhe UEFA e FIFA. Arsyeja që kemi ardhur këtu, është që të japim këtë mesazh”, – u shpreh Terim. Ai u ndie tejet i emocionuar kur në tribunat e stadiumit disa tifozë Turqi 1-6 ndanë dhimbjen me popullin turk pas tragjedisë në minierën e Somas.

De Biazi: Një ditë mund të drejtoj edhe Kosovën


Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, ishte i pranishëm në ndeshjen e djeshme të Kosovës. Pas takimit, ai u shpreh se përfaqësuesja e Kosovës dha maksimumin në sfidën ndaj Turqisë. I entuziazmuar nga publiku vendës, italiani ka thënë edhe se një ditë mund të vijë të drejtojë Kosovën. “Pjesa e parë ishte më e bukur dhe më e pranueshme, por e dyta më e vështirë. Sigurisht që Kosova pati probleme me formacionet, duke pasur mungesa veçmas në mbrojtje. Lojtarët bënë maksimumin që mundën ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Mendoj se skuadra ka nevojë për ndryshime dhe për më tepër duhet që trajneri t’i ketë më shumë në dispozicion lojtarët, me qëllim që ata të mund të ambientohen me idetë e tij dhe me lojën e skuadrës”, – tha fillimisht De Biazi. Ai foli gjithashtu për kapitenin e Kosovës, Anel Rashkaj, duke thënë se ai është ende i ri për të qenë lider i kësaj skuadre. “Është një futbollist që ka shumë kualitet dhe ka inteligjencë. Di ta mbajë mirë skuadrën, por nuk është lider. Atij i duhet ende kohë, pasi është ende i ri”, – tha De Biazi. Në fund, ai u shpreh i impresionuar me atmosferën në Mitrovicë, duke u shprehur i kënaqur: “Shumë bukur dhe impresionuese. Do të rikthehesha sërish këtu. Pse jo, në një të ardhme edhe si trajner i Kosovës”.