Trukimet ne Boterorin 2014, zbulohet tentativa e pare
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
A mund të manipulohen ndeshjet e Botërorit që ndiqen nga qindra miliona teleshikues në të gjithë rruzullin tokësor? Me sa duket po, ose të paktën kështu pretendon se mund të bëjë menaxheri nigerian Henri Okoroji, i cili është filmuar nga një gazetar i “The Sun”, ndërsa i paraqiste “listën e çmimeve” për ngjarje të ndryshme gjatë ndeshjeve që do të luhen në Brazil.
Filmimi është bërë në një dhomë hoteli të Milanos, ku Okoroji dhe një bashkëpunëtor i tij, i kanë treguar reporterit gjithçka që mund të realizonin ata për të manipuluar ngjarje të ndryshme gjatë një takimi, përfshirë kartonin e kuq, kundrejt pagesave që u duhen bërë lojtarëve. Sipas tij, një karton i verdhë kushton 50 mijë euro, ndërsa për një penallti, duheshin paguar 100 mijë euro. Në një tentativë për të rritur besueshmërinë e tyre në sytë e reporterit që paraqitej si përfaqësues i një kompanie bastesh, ata tentuan të ftonin në këtë takim edhe futbollistin nigerian të Lacios, Ogeni Onazi, por për momentin, nuk ka asnjë provë konkrete që vërteton se ky i fundit është përfshirë në manipulimin e ndeshjeve.
Duke folur me gazetarin investigativ Mazher Mahmud, Okoroji tha se tashmë kishte arritur të rekrutonte dy futbollistë të kombëtares nigeriane dhe se shumë shpejt do të udhëtonte drejt Brazilit për të parë se si do të realizoheshin të gjitha manipulimet që kishte në plan të organizonte. “Dy lojtarë janë 100%. Mbetet në dorën tuaj se çfarë dëshironi që të bëjnë. Do të paguani për një karton të verdhë, karton të kuq apo penallti”, tha ai, para se t’i telefononte një futbollisti të njohur nigerian, duke pretenduar se ky i fundit kishte rënë dakord të merrte pjesë në manipulimin e sfidës.
“Ai nuk mund të vijë këtu, për shkak të karrierës që ka. Pastaj këto gjëra nuk mund të thuhen në telefon, pasi të gjitha monitorohen, policitë po monitorojnë telefonatat e tij. Unë njoh ndeshjet, njoh edhe sistemin”, shpjegoi Okoroji, i cili më pas tregoi se kishte qenë futbollist dhe kishte hyrë në botën e manipulimit të ndeshjeve, pasi asokohe i ishin bërë oferta të njëjta. Gjatë bisedës së regjistruar nga gazeta angleze, ai pretendonte se mund të fliste me një figurë të njohur në Federatën e Futbollit të Nigerisë për të influencuar edhe përzgjedhjen e futbollistëve që do të merrnin pjesë në Botëror.
Lajmi i publikuar dje nga gazeta “The Sun”, ka hedhur më shumë dyshime mbi kombëtaren e Nigerisë, e cila pak ditë më parë u akuzua nga mediat angleze për tentativën e manipulimit të miqësores me Skocinë. Ndeshja në fjalë përfundoi me rezultatin 2-2, por një autogol qesharak i shënuar nga portieri nigerian, edhe pse i anuluar, për shkak të një faulli ndaj tij, bëri që dyshimet të shtoheshin. Meqë ndeshja në fjalë luhej në Londër, policia angleze ka hapur zyrtarisht një hetim, por tashmë pritet që çdo lëvizje e nigerianëve të monitorohet me kujdes edhe nga FIFA.
Dosja
“New York Times” konfirmon se FIFA nuk hetoi siç duhej
Zbulohen detajet e manipulimit të miqësoreve para Botërorit 2010
Shumë ndeshje miqësore të zhvilluara para Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut janë dyshuar si të manipuluara dhe këtë e ka konfirmuar dje gazeta “New York Times”. Ajo ka publikuar një dosje plot me dëshmitë e dhëna përpara hetuesve të FIFA-s dhe gjykatësve në Finlandë, nga Uilson Raj Perumal, një nga organizatorët më të njohur të manipulimeve të ndeshjeve në vitet e fundit. Por përkrah tij janë edhe dëshmitë e dhëna nga zyrtarë të Federatës së Futbollit të Afrikës së Jugut, të cilët bashkëpunuan me kompaninë e Perumal, duke i lejuar këtij të fundit të përzgjidhte gjyqtarë që dhanë vendime të dyshimta në një sërë ndeshjesh miqësore. Afrikë e Jugut-Guatemala 5-0 dhe Nigeri-Koreja e Jugut 3-1, janë takimet për të cilat raporti i FIFA-s konfirmon se ka pasur manipulime, ndërsa ka dështuar manipulimi i ndeshjes Afrika e Jugut-Danimarkë. Sipas këtij raporti, Perumal ka deklaruar se janë fituar 4-5 milionë dollarë nga miqësoret e manipuluara në këtë periudhë, falë vendimeve të dyshimta të gjyqtarëve të caktuar nga kompania e tij, persona që ishin paguar rreth 100 mijë dollarë për të ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin e ndeshjeve. Por ndonëse ngjarjet në fjalë janë zhvilluar në vitin 2010, hetimi i FIFA-s ka filluar vetëm në vitin 2012, atëherë kur gjyqtari i përfshirë në këto manipulime, Ibrahim Shaibu nga Nigeri, ishte tërhequr nga gjykimi, ndaj nuk mund të merrej më në pyetje. Çuditërisht, FIFA ka pohuar për gazetën amerikane se, pavarësisht hapjes së hetimeve dhe provave që implikonin dhe zyrtarë të Federatës së Afrikës së Jugut, askush nuk ishte shpallur fajtor dhe se pjesëmarrësit në ndeshjet e manipuluara, nuk ishin marrë asnjëherë në pyetje.