E Enjte, 19 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Triller' polak, greket i tradhton kapiteni (VIDEO)

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Triller' polak, greket i tradhton kapiteni (VIDEO)
Inaugurim i hidhur për vendësit, shpresa e besim për miqtë dhe 90 minuta në ekuilibër, ashtu siç e kishin parashikuar pjesa më e madhe e analistëve sportivë. Polonia dhe Greqia, në ndryshim nga çfarë sollën minutat entuziaste para startit të këtij Evropiani, stonuan me lojën e tyre, duke i dhuruar njëra-tjetrës nga një pjesë loje. Në fraksionin e parë kemi vendësit që janë më të çliruar dhe arrijnë të kalojnë jo vetëm në avantazh, por edhe të fitojnë epërsi territoriale duke pasur në krah edhe gjyqtarin spanjoll, i cili nxori me karton të kuq qendërmbrojtësin e grekëve, Sokratis Papastathopulos. Por 45 minutat e dyta, ndonëse priteshin të ishin nën siglën polake, ndryshuan krejt ngjyrë. Grekët jo vetëm që barazojnë me anë të Salpingidis, por patën edhe shansin e artë që ta fitonin ndeshjen, kur Karagunis u vendos përballë portierit polak nga 11 metra distancë.

Polonia – Fillim mjaft i mirë për vendësit, të cilët të mbështetur edhe nga shumë tifozë (sigurisht që pritej, pasi luajnë në shtëpi) rrezikojnë që në minutën e 5-të me Obraniak. Portieri grek, Kalkias, nuk e shikon topin për shkak të murit të mbrojtësve, por gjithsesi arrin të grushtojë në goditje këndi. Polakët e drejtuar nga Smuda janë më të qartë dhe sulmojnë më tepër nga krahu i djathtë, ku mbrojtësi uruguaian i natyralizuar në grek, Holebas, kalohet disa herë lehtësisht nga Muravski dhe Blashzikovski. Pikërisht nga një sulm nga ky krah, pas driblimit që ky i fundit i bën mbrojtësit, vjen krosi që gjen në vendin dhe kohën e duhur Levandovskin, i cili me kokë kalon në avantazh polakët. Pas golit, teksa pritej reagimi grek, vendësit rrezikojnë të dyfishojnë me Perkuis dhe më pas Obraniak. Karagounis dhe Katsuranis kërkojnë vazhdimisht Samarasin në sulm, por ofensiva helenen nuk funksionon. Madje në minutën e 44- t, gjërat për grekët bëhen edhe më të vështira, pasi Papastathopulos ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe automatikisht të kuq.

Greqia – Me vendësit në avantazh dhe miqtë me një lojtar më pak, u duk se kjo ndeshje kishte përfunduar. Vetëm se nuk doli kështu. Tekniku Santos lë në dushe Ninis për Salpingidis dhe kjo zgjedhje do rezultojë “xholi” i këtij takimi. Sulmuesi i PAOK-ut shfrytëzon mjaft mirë një dalje të gabuar të portierit Shezni dhe nga fare pranë portës barazon. Nga aty ndeshja ndryshon tërësisht. Dukej sikur nuk ishin grekët ata që ishin me një lojtar më pak në fushë, por polakët, pasi sulmet ndaj portës së gardianit të Arsenalit janë të njëpasnjëshme. Dhe është pikërisht Shezni, i cili pas një dalje në zonën e tij pengon Salpingidis, dhe për arbitrin është penallti. Helenët në qiellin e shtatë, ndërsa polakët nuk u besojnë dot syve. Përveç 11- metërshit, arbitri nxjerr me karton të kuq edhe portierin duke balancuar forcat në fushë, por me miqtë që kanë shansin e golit trepikësh. Shkon Karagunis te pika e bardhë dhe portieri i dytë, Titon, grushton duke mbajtur në një ekuilibër të frikshëm jo vetëm këtë ndeshje, por edhe vetë grupin A, i konsideruar nga analistët si mjaft i vështirë për të përcaktuar skuadrat që mund të shkojnë në çerekfinale.