e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Start spektakolar i Rusise ne Evropian (VIDEO)

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Start spektakolar i Rusise ne Evropian (VIDEO)
Në sfidën e luajtur në “Minicipal Stadium” të Vrocklav, Rusia ka likuiduar me shumë lehtësi Çekinë me rezultatin final 4-1, duke marrë menjëherë komandën në Grupin A, pas barazimit 1-1 që ofruan në ndeshjen hapëse Polonia dhe Greqia. Pavarësisht një fillimi të mirë të takimit nga çekët, Rusia e rimerr veten shpejt, duke dhënë përshtypjen se dëshira e trajnerit Dik Advokat, për të përmirësuar rezultatin më të mirë historik, çerekfinalen e katër viteve më parë, mund të jetë një objektiv i mundshëm. Futbollistët ndjekin me imtësi këshillat e teknikut të tyre dhe në fund arrijnë të zgjidhin në favorin e tyre një ndeshje që në letër dukej më e vështirë se çfarë rezultoi. Ashtu siç kishte parashikuar, Advokat zgjedh Malafevin mes portave, çka rezulton pozitive.

Megjithëse, më shumë sesa kjo surpriza e madhe, është Alan Dzagoev, i cili do ta prishë shumë shpejt baraspeshën. Fantazisti 21-vjeçar i CSKA-së së Moskës korrigjon shënjestrën e Kerzhakovit që kishte goditur shtyllën dhe dërgon në rrjetë sferën. Çekia mundohet të reagojë dhe të vendosë menjëherë baraspeshën me një goditje me kokë të Rezek, por Malafev shfaq një siguri të madhe në kuadrat. Rusia është ajo që dominon dhe në minutën e 24-t vjen edhe dyfishimi i rezultatit. I shërbyer me një asist perfekt nga Arshavin, Shirokov kalon portierin Çeh me finesë, që e bën edhe më spektakolar fundin e aksionit. Republika çeke ka marrë një goditje të rëndë dhe rrezikon të kapitullojë sërish.

Avantazhi dopio i djemve të Advokat i ofron më shumë siguri lojës së rusëve, të cilët rrisin edhe më shumë zotërimin e topit dhe nuk u lënë asnjë shans për të rrezikuar kundërshtarëve. Përveçse dominojnë, loja e Arshavin me shokë është shumë korale, perfekte, ashtu sikurse ajo me të cilën katër vite më parë mahnitën të gjithë, duke dhuruar goditje të njëpasnjëshme dhe një shumëllojshmëri surprizash ofensive. Pasi skuadrat kthehen nga dhomat e zhveshjeve, trajneri çek Bilek mundohet të sistemojë disa gjëra në formacionin dhe mënyrën e të luajturit të skuadrës. Ai hedh në lojë Humbshmanin duke i ofruar më shumë mbulim mbrojtjes, duke u lënë kështu më tepër hapësirë sulmuese Plasilit.

Kjo lëvizje do të rezultojë fituese, sepse pikërisht Plasil, në minutën e 7-të do të hedhë një pasim Pilar që kalon bukur Malafevin dhe shkurton diferencën. Gjithsesi, vazhdimi i ndeshjes do vërtetojë se ky ka qenë vetëm një gabim taktik i mbrojtjes ruse, e cila kërkoi të vërë në lojë “off-side”-in artificial, sepse përfaqësuesja e Advokatit ka çdo gjë nën kontroll dhe këtë e vërteton shumë shpejt. Rusët, përpara se të blindojnë suksesin, dridhen vetëm kundrejt një tentative nga distanca me Roziçkin, që detyron Malafevin të ndalojë topin në dy kohë. Por, paniku merr fund këtu, sepse Dzagoev do t’i dërgojë shifrat në 3- 1 (goditje vdekjeprurëse në hyrje të zonës), kur kishin mbetur nëntë minuta nga fundi, ndërsa tre minuta më vonë Pavljuçenko bën poker, me një aksion personal brenda zonës, duke e detyruar Peter Çeh të nxjerrë topin nga rrjeta për të katërtën herë. Në fund, suksesi është më se i merituar për Kombëtaren ruse, e cila edhe pse ka kaluar vetëm dita e parë e kompeticionit, ka dhuruar një futboll fantastik, shumë spektakolar, që duhet ta konfirmojë të martën më 12 qershor kundër Polonisë.