e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

'Holanda nuk do kete meshire ndaj Danimarkes'

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
'Holanda nuk do kete meshire ndaj Danimarkes'
Bert van Marvijk nuk ka dyshime që kombëtarja e tij do fitojë në ndeshjen e parë të Evropianit, kundër Danimarkës. Ai vlerëson forcën e kundërshtarit me kundërsulme, por është i bindur që Holanda është mjaftueshëm e fortë për të mos e diskutuar suksesin. “Na pret një ndeshje e vështirë në aspektin psikologjik, pasi dueli i parë i çdo kompeticioni është i ngarkuar emocionalisht. Gjithsesi, ne do të japim sinjale të qarta force, duke realizuar një fitore bindëse.

Përballë do të kemi një kundërshtar të fortë, pasi në Evropian nuk ka shanse që të kesh ndeshje të lehta. Ata kanë një kundërsulm të shpejtë. Nëse sulmojmë dhe humbasim topin, atëherë të gjithë futbollistët duhet të kthehen prapa për të ndihmuar mbrojtjen”, – u shpreh Van Marvijk. Ai zbuloi edhe taktikën e tij për të zbehur forcën e Danimarkës: “Kemi lojtarë që e qarkullojnë shumë mirë topin dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë element. Duke dominuar kështu, si rrjedhojë danezët nuk do të kenë mundësi për të rrezikuar në sulm dhe njëkohësisht do lodhen duke bërë presing. Kam besim që do fitojmë bindshëm, madje nuk do të kemi mëshirë para portës. Duhet të shfrytëzojnë thuajse çdo rast të mirë për shënim”. Trajneri i “tulipanëve” ka qenë në akuzë kohët e fundit, sepse nuk aktivizon Huntelarin dhe në vendin e tij preferon Van Persin.

Kajt Mesfushori holandez ka paralajmëruar shokët e ekipit se ndaj Danimarkës luajnë fatin në Evropian. “Ndeshja e parë është më e rëndësishmja. Nëse nuk i mundim danezët, do vuajmë në dy ndeshjet e ardhshme dhe do të rrezikojmë eliminimin që në fazën në grupe. Të ruajmë përqendrimin dhe të realizojmë një fitore spektakolare”, – u shpreh Kajt.

“Van Persi nuk krahasohet me mua”

Klas-Jan Huntelar vazhdon të polemizojë për faktin që nuk preferohet si titullar nga trajneri Van Marvijk. “Më vjen keq që nuk mund të luaj si titullar, pasi jam në formë të mirë dhe i gatshëm ta ndihmoj sa më shumë ekipin kombëtar. Van Persi nuk mund të krahasohet me mua, pasi ka karakteristika të tjera. Ai nuk është një sulmues qendror, por më i tërhequr. Ka aftësi pasuese, gjuajtje nga distanca, pra nuk e bën dot rolin e finalizuesit si unë”, – u shpreh Huntelar.

“Marrim të paktën një barazim”

Trajneri i Danimarkës, Martin Olsen, është munduar t’i japë zemër skuadrës së tij, duke shprehur besim të plotë se do marrin pikë ndaj Holandës. “Jam pak xheloz për faktin se kundërshtari është favorit. Do doja që të ishim në pozicionin e tyre. Gjithsesi, në përfundim të ndeshjes mendoj se do dalim të paktën si të barabartë. Kam besim se do marrim një pikë. U kam rezervuar disa surpriza holandezëve, – tha Olsen duke buzëqeshur. – Ne do të jemi bukuria e grupit”, – shtoi ai.