e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tri seanca stërvitore në ditë, ja si Poketino ringjalli Totenhemin

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tri seanca stërvitore në ditë, ja si Poketino ringjalli Totenhemin

Pep Guardiola fitoi tripletën historike me Barcelonën gjatë 2008- 09, por falë Mauricio Poketinos, një njollë e zezë i mbeti rekordit të tij gati perfekt. Mauricio Poketino"Ka skuadra që presin për ty dhe skuadra që vijnë te ty. Espanjoli është nga ajo që vjen. Unë ndihem shumë pranë stilit të futbollit të tyre", tha Pep pas humbjes 2-1 në derbi atë sezon.

Barça u mund në "Kamp Nou" nga Espanjoli për herë të parë pas 27 vitesh dhe ish-trajneri i tyre po përgatitet për të luftuar për titullin e Premier Ligës sezonin e ardhshëm. Por, derisa ai të mbërrijë, ky trofe mund të jetë në duart e njeriut që e mposhti 7 vite më parë. Poketino mori timonin e Espanjolit në janar 2009, duke u bërë trajneri i 3-të i tyre atë sezon në përpjekjen për t'i shpëtuar nga rënia (renditeshin të 3-ët nga fundi).

Sezonin e mbyllën në vend të 10-të dhe aty argjentinasi zhvilloi stilin e tij, i cili ishte presing e zotërim topi dhe siç thoshte Guardiola: "ata të kërkojnë ty". Për ta arritur në këtë stil, gjendja fizike është kryesorja.

Dhe stërvitja tek Espanjoli ishte rraskapitëse. Poketino i pajisi lojtarët me sistem "GPS" për të monitoruar çdo lëvizje të tyre dhe vëmendja e tij ndaj detajeve nuk kishte asnjë shembull të dytë. Van Gal është akuzuar këtë sezon se i veçon yjet e Junajtid sikur të ishin nxënës të prapë duke përdorur videot e lëvizjeve të tyre në fushë për të analizuar gabimet, por Poketino bën të njëjtën gjë.

Në Barcelonë ai përdorte një "iPad" ku u tregonte lojtarëve se ku po gabonin dhe çfarë duhet të bënin. "Ai të bën të vuash si një qen. Dhe ti e mallkon për këtë deri të dielën, kur i ndihesh mirënjohës, sepse plani i tij funksionon", thoshte Dani Osvaldo për trajnerin e tij. Aq shumë e admironte Osvaldo profesorin e tij sa e ndoqi edhe te Sauthemptoni, ku stërvitjet e dyfishta u bënë pjesë e rutinës së lojtarëve.

Çfarë ndodhte në "Estadi Cornella-El Prat" u përsërit edhe në "St Mary's". "Duket sikur të duhen dy zemra për të luajtur ashtu. Është një punë e lodhshme, por mund t'i shikoni frytet", deklaronte ishmesfushori i "shenjtorëve", Xhek Kork.

Te Totenhemi po e shikojnë gjithashtu. Trajneri shfaqet në qendrën stërvitore "Hotspur Lane" disa orë përpara se të nisë seanca, rreth orës 07:00 dhe largohet ndonjëherë edhe pas 19:00. 12 orë punë në ditë janë rutina e tij e përditshme: "Jeta ime është të shkoj nga hoteli në qendrën stërvitore dhe anasjelltas".

Ai paguhet mirë dhe e bën me përkushtim punën e tij. Fjalët e Osvaldos dhe Korkut sesa sfilitëse janë seancat e tij stërvitore i konfirmoi në fillim të shkurtit edhe bomberi i Spërsave, Herri Kejn: "Gjatë fazës përgatitore stërviteshim dy herë në ditë dhe kishte raste që e shtynim veten drejt limiteve. Por kishte një arsye për këtë.

Dhe këtë arsye po e shikoni tani. Unë ndihem fizikisht si kurrë më parë". Gjatë fazës përgatitore kishte ditë që zhvilloheshin edhe 3 seanca stërvitore në orët 10-12, 14-16 dhe 18-20. Totenhemi është skuadra e dytë që ka vrapuar më shumë këtë sezon në Premier Ligë (3.126 km), por e para për vitin 2016 (942 km).

Kike Sançez Flores i përshkroi si kafshë pasi Uotfordi i tij u mund 1-0 në "White Hart Lane". "Kur shkoj në Uells dhe u them shokëve sesa stërvitemi, disa nuk e besojnë", tregon mbrojtësi Ben Dejvis.

"Por ne nuk ankohemi kur jemi të dytët dhe luajmë shumë më mirë se disa ekipe pretendente. Jemi krenarë", shton uellsiani. Mund të të duhen dy zemra për të luajtur për të, por plani i Poketinos i ka shndërruar Spërsat në pretendentë për titullin e parë kampion pas 55 vitesh.