Toni duartroket rekordin e Levës: E meritoi, por
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një fundjavë rekordesh. Fantastik ai i Bufonit që ruajti të paprekur portën e tij për 973 minuta, duke thyer atë të Rosit me Milanin në 1993-1994 në Serinë A.
Por i jashtëzakonshëm edhe ai i Levandovskit, i cili në 27 javë të Bundesligës arriti në kuotën e 25 golave, duke u bërë shënuesi më i mirë i huaj në historinë e Bajernit në harkun e një sezoni të vetëm.
Rekordin përpara tij e mbante Luka Toni, i cili në 2007- 2008 shënoi 24 gola. Por italiani nuk mërzitet dhe gjatë një interviste për "Bild" i shtrëngon dorën virtualisht sulmuesit polak.
Kohë të ndryshme - "Guardiola më ka folur për Robertin dhe më ka thënë se është një profesionist serioz", tregon sulmuesi i Veronës. "Është një nga ata që punon dhe jeton 24 orë në funksion të Bajernit. Prandaj nuk jam i zemëruar që ma theu rekordin, sepse e meritoi".
Por, pas komplimenteve, 38-vjeçari kërkon të bëjë një saktësim: "Sot për të është më e lehtë sesa ishte për mua. Kur unë isha në Mynih nuk ishte ky Bajern, por klubi ishte në fillim të nisjes së një cikli".
Dhe Toni ka të drejtë, sepse në 2007-2008, sezonin në të cilin ai shënoi 24 golat në kampionat me bavarezët, rekordmenët luanin në Ligën e Europës, ku eliminoheshin në gjysmëfinale nga Zeniti pas humbjes 4-0. Rezultate të tilla sot janë të paimagjinueshme: "Robert, në garën për golashënues, ka avantazhin që luan në një skuadër perfekte".
E shkuara, e ardhmja - Ishshokut të Guardiolës (luanin së bashku te Breshia në 2002-2003) i kërkohet të flasë për Bajernin aktual dhe atë të së ardhmes me Ançelotin: "Unë dhe Pep jemi miq. Sa herë shkoj në Mynih, takohemi.
Më tha se ka vendosur të largohet sepse pas 3 vitesh ka nevojë për stimuj të rinj dhe ka dëshirë të zgjerojë horizontin. Besoj se mund të largohet duke fituar tripletën. Për Ançelotin nuk do të jetë e lehtë për ta përmirë- suar këtë skuadër. Por ai ka fituar 3 Champions dhe ka një përvojë të madhe. Është perfekt për Bajernin".
Italia - Toni ndalet edhe në Europianin e Francës. "Gjermania mund ta fitojë, por unë shoh Francën favorite për shkak të faktorit fushë. Italia nuk ka sulmues të mësuar të përballojnë presionin e niveleve të larta ndërkombëtare: lojtarë si Inzagi, Del Piero, Toti apo unë. Miqësorja e së martës me Gjermaninë ka qenë dhe do të jetë gjithnjë speciale".