e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tomori nuk njeh rivalë, Delvina e pafuqishme

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tomori nuk njeh rivalë, Delvina e pafuqishme

Delvina e ka nisur me humbje takimin e parë të fazës së dytë, atë ndaj Tomorit, teksa është mundur në shtëpi 2-0.

TomoriNë një ambient të qetë, në praninë e më shumë se 400-500 spektatorëve, për vendësit nuk ka mjaftuar dëshira dhe grinta në fushën e lojës, përballë beratasve me eksperiencë.

Dy golat e shënuar nga miqtë, përkatësisht në minutën e 39-të nga Kanapari dhe Sharavolli në të 72-ën kanë bërë që delvinjotët të "hedhin në erë" 1 milion lekë të vjetër premio që u ishte premtuar nga kryetari i Bashkisë së Delvinës, Rigels Balili, në rast fitoreje.

Për ironi të fatit, performanca e delvinjotëve në fushën e lojës nuk përligji edhe uniformat kuqeblu, dhuratë e vëllezërve Balili. Përpos rezultatit negativ që delvinjotët koleksionuan në shtëpi, sportdashësit vendës treguan qytetari duke mos shkaktuar asnjë incident. Fundi i takimit pas fërshëllimës së gjyqtarit Kaso është pasuar nga duartrokitjet dhe përgëzimet për fitoren e miqve.

Pjesa e parë e takimit rezervoi lojë të ekuilibruar, por eksperienca e Ervis Çaços dhe performanca e Miranit, Kanaparit e portierit Kaloshi mjaftuan për të mbyllur pjesën e parë me rezultatin 1-0 për miqtë. Në minutën e 39-të është Çaço që kroson bukur nga e djathta dhe Kanapari nga afër shënon.

Pjesa e dytë nis më mirë për vendësit, të cilët të etur për të barazuar, lënë hapësira në prapavijë, të shfrytëzuara këto më së miri nga miqtë. Delvinjotët me protagonist lojtarin-trajner Dritan Mehmeti nuk tregohen produktiv, ndërkohë që miqtë me Sharavollin në minutën e 72-të dyfishojnë. Minutat e mbetura nuk sjellin ndryshim të rezultatit, edhe pse vendësit nuk rreshtin së sulmuari.

DELVINA-TOMORI 0-2
GOLAT: Kanapari 39´, Sharavolli 72´
DELVINA: Çallari, Sopjani (Bibo 70´), Çuno (Myftari 79´), Do.Mehmeti, Gjeçi, Hakarepi, Metaj, Gjoka, Imeri, Dr.Mehmeti, Myftari.
Trajner: Dr.Mehmeti
TOMORI: Kaloshi, Bitri, Sula, Çaço, Berberi, Topi, Isufi (Hoxha 87´), Sharavolli, Dervishi, Mirani, Kanapari.
Trajner: B.Sinella
KARTONË TË VERDHË: Çuno 23´, Braculla 64'/ Sula 53´ GJYQTARË: E.Kaso, A.Zalla, A.Koçia (Tiranë)
VËZHGUES: T.Latifi (Gjirokastër)
DELEGAT: S.Sadikaj (Sarandë)

Përgatiti: Tomor Shehu