Partizani shpëton në limit, ndalet Shënkolli
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Një takim tepër in teresant dhe mjaft i ekuilibruar, lojë disi e ashpër, por dhe tension në fund ku tifozët kanë tentuar të dhunojnë gjyqtarët pas ndeshjes.
Kryesfida e javës së parë të fazës së dytë mes Partizanit B dhe Shënkollit ka përfunduar në barazim.
Lezhjanët kanë udhëhequr deri në minutën e fundit dhe janë ndëshkuar nga Qaqi në limite. Pavarësisht barazimit, Shënkolli ruan kreun, por tashmë udhëheq së bashku me Kevitanin me pikë të barabarta.
Ndeshja
Ka qenë një ndeshje e tensionuar dhe mjaft e ashpër në ndërhyrjet gjatë lojës. Për sa i përket pjesës së parë, loja ka qenë më e bukur nga miqtë, të cilët arrijnë të shënojnë në limitin e pjesës së parë. Është Serxho Çeku që godet bukur brenda zonës dhe shënon duke mos i lënë asnjë mundësi portierit Xhika.
Në fraksionin e dytë, skuadra e Partizanit ka shkarkuar të gjitha energjitë në kërkim të golit të barazimit dhe e gjithë loja shpërngulet në një portë, në atë të Rinev Danajt që i shpëton të tijtë në shumë raste. Megjithatë, të kuqtë arrijnë të barazojnë në limitin e shtesës prej 5 minutash. Është Carno që manovron bukur duke dribluar mbrojtjen mike, sheh të lirë përballë portës Qaqin duke e shërbyer dhe mbrojtësi tregohet i saktë duke shënuar.
Pas përfundimit të takimit, disa prej tifozëve miq kanë tentuar të futen në fushë për të goditur arbitrin, por të dy drejtuesit e klubeve përkatëse kanë qenë në lartësinë e duhur duke mos lejuar precipitimin e situatës. Ndërhyjnë forcat e policisë private dhe ato të rendit që qetësojnë situatën.
Përgatiti: ABDULLA DUSHKU