Skënderbeu mund Teutën në setin final, play off-i më pranë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
S kënderbeu rikonfir mon formën shumë të mirë që shfaqi përgjatë fazës së parë në kampionatin kombëtar në volejboll për femra. Në takimin përmbyllës të javës së tetë të Grupit A1, korçaret morën një fitore shumë të rëndësishme në transfertë, duke mundur Teutën vendëse me shifrat 3- 2.
Ekipi i drejtuar nga trajnerja Tatjana Marash nuk mund të konsiderohet më surpriza e sezonit, pasi javë pas jave po shfaq nivel të lartë loje. Kështu ndodhi edhe dje përballë Teutës, ku korçaret përgjatë gjithë lojës treguan shpirt të lartë gare, saktësi dhe agresivitet deri në pikën e fundit. Ishte parashikuar një ndeshje e fortë për vetë nivelin e përafërt që kanë ekipet dhe ashtu ndodhi.
Në momentet e para të lojës, juglindoret shfaqin hapur pretendimet e tyre përmes një loje plot vrull dhe përqendrim. Kjo bën që vendëset të vendosen në vështirësi dhe për pasojë humbasin setin e parë në shifrat 19-25.
Në setin e dytë, reagojnë vendëset duke rritur ndjeshëm rendimentin e lojës së tyre. Nga ana tjetër, korçaret vazhdojnë të luajnë mirë dhe me pak kujdes mund të dilnin triumfues, në një set që zgjati deri në pikën e 28-të.
Pas barazimit të seteve në 1-1, vendëset marrin nën kontroll ndeshjen. Loja e tyre bëhet më e qartë dhe falë një funksionimi në lartësinë e duhur të bllokut, sulmit dhe mbrojtjes fitojnë pa shumë vështirësi të tretin me shifrat 25-18. Kur dukej se fitorja ishte pranë për Teutën, shfaqen edhe një herë korçaret, të cilat ende nuk e kishin thënë fjalën e fundit dhe bëjnë që triumfuesi të përcaktohet në setin final.
Këtu durrsaket vuajnë edhe një herë mungesën e eksperiencës dhe ndryshimet e shumta që ka bërë skuadra këtë sezon. Nga ana tjetër, Skënderbeu luan me ritëm të lartë, duke bërë që në fund të jetë fitues i një sfide plot emocion, 15-10 në setin final dhe krejt takimin me rezultatin e përgjithshëm 3-2. Kjo fitore mban Skënderbeun në vendin e tretë, tashmë gjithnjë e më pranë zonës së "play off"- it. Nga ana tjetër, Teuta ngjitet në kuotën e 10 pikëve, por shumë larg kryesueseve.