e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tolerime dhe bojkot! Superiorja ul siparin ne menyre te shemtuar

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tolerime dhe bojkot! Superiorja ul siparin ne menyre te shemtuar

Një nga kampionatet më entuziazmuese të sezoneve të fundit është mbyllur dje në mënyrë shumë të shëmtuar. Ndërsa Skënderbeu priste vetëm festën e titullit, të siguruar që dy javë më parë, java e fundit e Superiores do të zgjidhte enigmat e mbijetesës dhe skuadrës që do të renditej e treta për të siguruar pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Por bojkoti i Besës, i shoqëruar me tolerimin e paralajmëruar të kampionëve ndaj Laçit, ka shëmtuar garën, duke shtyrë Vllazninë të hapte portën për Teutën dhe t’u linte këtyre të fundit fitoren, me shpresën që durrsakët të shkojnë në Europa League nëse Kukësi fiton Kupën.


Gjithçka është vënë në lëvizje pikërisht nga bojkoti i Besës, që ka mbyllur kësisoj luftën për mbijetesë pa filluar ndeshjet. Kavajasit nuk janë paraqitur në Tiranë për të luajtur ndaj bardhebluve, me argumentin se kjo ishte një protestë ndaj gjyqtarëve që kishin rrëzuar ekipin me vendimet e tyre. Mosparaqitja e Besës, minimalisht do të garantojë fitoren 3-0 në tavolinë të Tiranës, pa llogaritur këtu masa të tjera ndëshkimore, ndaj si Vllaznia ashtu edhe Flamurtari, kishin luksin të merrnin frymë qetë që në fillimin e ndeshjes, të ndërgjegjshëm se mbijetesa e tyre në Superiore nuk kërcënohej më.
Vlonjatët vendosën të përdornin sfidën e tyre ndaj Kastriotit si një test para finales së Kupës së Shqipërisë që luhet në javën e ardhshme, ndërsa në fund të 90 minutave iu gëzuan suksesit 3-1. Në Shkodër, sfida e ankthshme e mbijetesës, brenda pak minutave është kthyer në një teatër të shëmtuar, të cilin tifozët vendas nuk e kanë kapërdirë, duke protestuar ndaj skuadrës së tyre. Vllaznia mbylli pjesën e parë me fitoren 1-0 falë golit të Krujës, por në të dytën, pavarësisht protestave të më shumë se 5 mijë tifozëve në stadiumin “Loro Boriçi”, toleroi në mënyrë të dukshme, duke i dhënë tri pikët Teutës. Gjithsesi, durrsakët nuk e kanë siguruar ende pjesëmarrjen e tyre në Europa League, që mund të vijë vetëm nëse Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë.


Vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në Europa League e siguroi Laçi, që ashtu siç pritej dhe ishte paralajmëruar gjatë javës, fitoi lehtësisht në Korçë përballë Skënderbeut kampion. Kjo disfatë e fundit e njollosi disi këtë titull të katërt kampion radhazi të korçarëve, të cilët në fazën e tretë, atë që duhej të ishte më e luftuara për ta, kanë siguruar 16 pikë në 11 ndeshje. Ky bilanc i tyre në këtë fazë, lë pas vetëm katër skuadrat e rëna nga kategoria, gjithçka si rrjedhojë e tolerimeve të njëpasnjëshme që kanë bërë gjatë këtyre javëve. Por në fund, lojtarët e Skënderbeut kanë vënë në qafë medaljet e kampionëve, duke ngritur lart trofeun e kampionatit, me premtimin që në vitin e ardhshëm do të kërkojnë rekordin e titullit të pestë radhazi.


Skuadra që ka humbur më shumë nga shfaqjet e javës së fundit ishte Partizani, që mbeti përfundimisht jashtë Europa League. Të kuqtë kanë zhvilluar një ndeshje me dy fytyra ndaj Lushnjës, duke u gjendur fillimisht në disavantazh të dy golave, para se të kthenin takimin në favorin e tyre. Por, rezultatet në Korçë dhe në Shkodër, kanë bërë të pavlefshëm suksesin e ekipit kryeqytetas, që pritet të pësojë revolucionin e radhës në përbërjen e vet gjatë merkatos verore.


Enigma e vetme që i ka mbetur këtij sezoni në futbollin shqiptar, është të mësohet fituesi i Kupës së Shqipërisë, ndërsa të gjithë janë në pritje të dinë edhe skemat në bazë të të cilave do të ndërtohet kalendari i Kategorisë Superiore me 10 skuadra dhe Kategorisë së Parë me 20 skuadra në edicionin 2014-2015.
Elbasani


Verdheblutë kanë ngritur dje trofeun e kampionit të Kategorisë së Parë, ndërsa në sezonin e ardhshëm, bashkë me Apoloninë, do të jenë pjesë e Superiores

Vendimi
Besa: Bojkoti, protestë për gjyqtarët!


Drejtuesit e Besës vendosën dje të mos nisnin skuadrën drejt Tiranës për të marrë pjesë në ndeshjen e javës së fundit të Kategorisë Superiore, edhe pse kishin teorikisht shpresa për të mbijetuar në elitën e futbollit shqiptar. “Besa ka vendosur ta bojkotojë ndeshjen me Tiranën në shenjë proteste ndaj ‘bluzave të zeza’ që na ndëshkuan qëllimisht në takimet e fundit ndaj Partizanit, Skënderbeut, Laçit dhe Vllaznisë. Ata na kanë mohuar disa 11-metërsha dhe një gol në Korçë”, ishte njoftimi, nëpërmjet të cilit kavajasit kanë motivuar vendimin e tyre, që ka ndikuar më pas thuajse në të gjitha ndeshjet e tjera të luajtura dje.