Tohir çon Ikardin te PSG-ja
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sirena franceze për Mauro Ikardin. Sul muesi zikaltër, i cili ka qenë prej dy vitesh në shënjestrën e PSG-së, mund të përgatisë valixhet për t'u transferuar në verë, në kryeqytetin transalpin, sepse realisht, faktet e fundit që sjell në vëmendje media bën të kuptohet se kjo marrëveshje nuk do të jetë aspak e komplikuar.
Presidenti Erik Tohir, i cili ka disa ditë që qëndron në Milano, duke parë edhe momentin negativ të ekipit të tij, ka qenë një nga të ftuarit e nderit të sheikut Naser Al Khelaifi, "bosit" të PSG-së, me të cilin kanë pasur kohën që jo vetëm të ndjekin duelin e Champions-it, mes francezëve dhe Çelsit, por edhe të bisedojnë për temat e merkatos.
Fakti që kampionët e Ligës 1 do të humbin në verë shërbimet e Zlatan Ibrahimoviçit (suedezi e konfirmoi vetë), por me shumë mundësi edhe Edinson Kavanin, bën që kryesuesit e kampionatit francez të vihen në kërkim të një lideri të ri në sulm dhe Mauro Ikardi përmbledh të gjitha cilësitë që kërkohen.
Dhe natyrisht që kjo marrëveshje mes palëve do të bënte të lumtur jo vetëm PSG-në, por edhe sulmuesin argjentinas, përveçse indonezianin Erik Tohir.
Tratativa pritet të ketë një vlerë prej 40-45 milionë eurosh, shifër kjo që mund të ulet në 25-30 milionë, duke qenë se në marrëveshje pritet të futen edhe kartonët e mesfushorit të ri dhe të talentuar Adrien Rabiot (vlerësohet 10- 15 milionë euro), përveçse ai i mbrojtësit të djathtë holandezi, Gregori Van der Vil (vlerësohet 5 milionë euro).
Në këtë mënyrë, në Milano do të hynin jo vetëm dy lojtarë shumë interesantë, por edhe një buxhet jo i vogël për të mbyllur një pjesë të borxheve të shumta që ka skuadra. Nga ana tjetër, për Mauro Ikardin pritet të formulohet një kontratë faraonike, e cila pritet të jetë minimalisht dyfish më e majme sesa ajo që përfiton aktualisht, e thënë në shifra të tjera, 6.5 milionë euro në sezon për të paktën pesë vitet e ardhshme.
