Magani ankohet për gjykimin: Na eliminoi një gol i parregullt
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Gugash Magani është i bindur se goli i dytë i Kukësit duhej anuluar për faull ndaj portierit Shpëtim Moçka.
Trajneri i Teutës, në intervistën për "Supersport" pas ndeshjes, theksoi ndër të tjera se gjyqtari ndikoi në rezultat me vendimet që mori gjatë lojës.
Nga ana tjetër, Magani pranoi gabimin e mbrojtjes në rastin e golit të parë, që sipas tij erdhi në një moment për të cilin lojtarët ishin praktikuar në stërvitje gjatë javës se si duhet të markonin në zonë.
Magani, pësuat dy gola dhe u eliminuat. Çfarë nuk funksionoi?
Të jem i sinqertë, sot (dje) në përgjithësi skuadra më ka bindur me lojë, por gjithsesi ne u eliminuam dhe kjo është keqardhja më e madhe. Në momentin e golit të parë, pati një mosvigjilencë të mbrojtësit tonë në markimin e Shametit. Ne kishim punuar për këtë gjë, duke pasur parasysh edhe ndeshjen e javës së kaluar me Kukësin. Pra, ne e dinim se si i aplikonte goditjet standarde kundërshtari, madje në lojën një për një kishim udhëzuar Hoxhën dhe Xhonatanin për të mbuluar Shametin dhe Malotën. Megjithatë, në momente të veçanta kjo nuk funksionoi mirë dhe u ndëshkuam. Kjo nuk do të thotë që u eliminuam duke mos luajtur mirë. Ishte një eliminim me një lojë dinjitoze. Me atë që pamë në fushë, ne ishim më mirë se Kukësi nga ana fizike.
Cili është pengu juaj?
Shikoni, unë kam disa vite që drejtoj skuadra të Superiores dhe nuk jam marrë asnjëherë me gjyqtarët dhe prapë nuk dua të bëj kompetentin për vendimet arbitrare. Këtë duhet ta bëjnë më mirë analistët e moviolës, por gjithsesi unë nuk mund të rri pa thënë se rasti i pësimit të golit të dytë ishte pa diskutim një faull ndaj portierit tonë. Emini i Kukësit ka prekur Moçkën dhe nëse ky rast nuk është faull, atëherë kërkoj ndjesë.
Ju mendoni se arbitrimi ndikoi direkt në rezultat?
Unë nuk dua të gjej alibi për këtë eliminim. Natyrisht ne humbëm, por ama e përsëris, që goli i dytë ishte faull i padiskutueshëm.
Mos ndoshta skuadra e vuajti shumë presionin e Kukësit, duke qenë se në përbërje ka edhe disa lojtarë me moshë të re?
Së pari, nuk ishim në perfeksion në fushë për detyrat që dhamë. Gjithsesi, nuk është justifikim fakti se kemi lojtarë me moshë të re dhe kjo mendoj se s'ndikoi. Nëse e shikojmë me kujdes ndeshjen, ai rast i golit të dytë është faktor që ndikoi për eliminimin tonë. Ka pasur edhe disa momente kur prej ndërhyrjeve të lojtarëve të Kukësit nuk është akorduar karton. Edhe në sfidën e kampionatit na u mohua një penallti. Janë disa raste që të bën të arrish në konkluzionin që arbitri ka ndikuar në rezultat.
Jeni i zhgënjyer nga reparti i sulmit?
Shikoni, ne vinim në këtë ndeshje nga një fitore 1-0 dhe kërkonim të ruanim disa ekuilibra në fushë. E nisi Xhonatan në sulm dhe më pas u aktivizua Magani. Unë mendoj se kemi luajtur mirë, edhe pse nuk rrezikuam aq sa duhet. Megjithatë, rezultati nuk të jep të drejtë për të bërë këtë gjykim për sa i përket anës pozitive të skuadrës.
Përgatiti: SKERDILAID SULOZEQI