Gjici: Pres më shumë, tani nisin sfidat e mëdha
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Emocione dhe shumë ankth ka përjetuar dje nga tribuna VIP e stadiumit "Zeqir Ymeri" presidenti i Kukësit, Safet Gjici.
Menjëherë pas vërshëllimës së gjyqtarit Lorenc Jemini, kreu i klubit ka zbritur në fushë për t'u përshëndetur me lojtarët. "Ishte një atmosferë e mirë, një ndeshje me shumë emocion, për të cilën ne kishim presion për shkak të rezultatit në Durrës.
Megjithatë, arritëm të fitonim dhe u kualifikuam për më tej. Natyrisht që na presin sfida më të mëdha, por që stafi teknik dhe skuadra treguan që kanë punuar mirë", ka thënë fillimisht Gjici gjatë një bisede për TVSH menjëherë pas përfundimit të ndeshjes.
Presidenti theksoi më tej se pret më shumë nga skuadra, për vetë investimin që është bërë këtë sezon te Kukësi.
"Mendoj se nuk ka pasur presion mbi stafin teknik, siç kam dëgjuar shpesh të flitet nëpër studio televizive. Presioni në futboll është për rezultatet, pasi Kukësi meriton të jetë shumë më lart. Ky ekip është ndërtuar për të fituar, pasi kemi investuar shumë. Gjithsesi, jemi në rrugën e duhur, pas kaluam turin çerekfinal dhe si synim kemi fitimin e Kupës.
Tashmë na presin sfida më të mëdha si ajo me Partizanin. Unë pres rezultate pozitive dhe besoj se do vijnë akoma edhe më shumë, pasi lojtarët dhe skuadrën i kemi. Duhet të vazhdojnë të japin më shumë, sepse i kanë të gjitha mundësitë për të realizuar objektivat e vendosura", përfundoi Gjici, i cili mësohet se ende nuk e ka njoftuar ekipin për ndonjë premio pas këtij kualifikimi.
Nga ana tjetër, Edmond Hasanbelliu i Teutës kishte 8 milionë lekë të vjetër për skuadrën, në rast se do të arrinte të kalonte në turin gjysmëfinal të Kupës.
