e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Sukaj: Paragjykohemi, por realisht po na dëmtojnë gjykimet

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Sukaj: Paragjykohemi, por realisht po na dëmtojnë gjykimet

Goli i Sukajt nuk i mjaftoi Partizanit për t'u kualifikuar. Shkodrani pas ndeshjes, për "Supersport" pohoi se të kuqtë po goditen shpesh nga gabimet e gjyqtarëve.
sukajSukaj ka sqaruar rastin e golit të anuluar dhe ka pohuar se në ekip nuk ka gjendje alarmante.

Xhevahir, te rasti i golit të anuluar e prekët apo jo topin, pasi nëse ka pasur kontakte, Raçiç dilte në pozicion jashtë loje?

Nuk e di çfarë të them. Kam përshtypjen se, nëse do ta kisha prekur, do e dërgoja në rrjetë. Të them të drejtën, në lojë nuk e krijova përshtypjen nëse e kam prekur apo jo. Nga pamjet nuk jam i qartë përsëri, pasi më duket se e kam prekur pak me flokë. Mendoj se nuk e kam prekur, pasi do ta kisha dërguar në rrjetë se isha afër portës.

Mund ta dimë arsyen se përse e gjuajti Raçiç goditjen e fundit dhe jo ju, që shquheni për goditje potente?

Nuk e gjuajta unë, pasi Raçiç kishte besim se do ta dërgonte në rrjetë. E lashë me kënaqësi, por duhet të theksoj se te rasti i goditjes së tij, topi është prekur me dorë dhe është 100 për qind penallti. Goditja është ndalur nga dora e kundërshtarit dhe nuk ka shkuar në portë, mbase e kap portieri, por mund të shkojë edhe gol. Akoma merren me penalltinë që na kanë dhënë neve në Pukë në ndeshjen ndaj Vllaznisë dhe akoma thonë që Partizani favorizohet. Nëse do të ishin ekipet e tjera, kjo penallti do të ishte dhënë.

Eliminimi nga Kupa mund të ndikojë në ecurinë e ekipit në kampionat?

Ekipi është drejt rritjes. Situata nuk është problematike, pasi barazuam ndaj Flamurtarit, që e eliminoi Tiranën brenda, si dhe ndaj Vllaznisë që fitoi ndaj Skënderbeut. Partizani do të jetë aty dhe nuk është aspak për t'u shqetësuar kjo ndalesë.

Dualiteti dhe krahasimet me Salihin...

Nuk dua të krahasohem me Salihin. E kam mik dhe gëzohem kur shënon. Më ka ndihmuar kur kam qenë në hapat e parë te Vllaznia. Nuk kam asnjë garë apo betejë me atë.

Ju ngushëllon fakti që Tirana u eliminua nga Kupa?

Nuk e kemi mendjen se pse u eliminua Tirana dhe Vllaznia. Do të doja të kualifikoheshin të dyja, pasi janë skuadra që mbushin stadiumet dhe futbolli ynë po vuan shumë mungesën e tifozëve në stadiume.