Tohir bën presion: Champions-i është një detyrim sivjet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Presidenti Erik Tohir la dje Milanon për të flu turuar në Londër. Miliarderi indonezian do të kthehet gjithsesi sot, për të qenë prezent për ndeshjen InterSampdoria, ndonëse përpara se të nisej në drejtim të Anglisë, nga aeroporti, ai i lëshon një sinjal të qartë skuadrës dhe trajnerit Roberto Mançini.
"Si klub kemi një plan të qartë, një nëse shkojmë në Champions, një nëse ngelim në zonën e Ligës së Europës dhe një tjetër nëse dështojmë në të gjithë objektivat tanë. Kemi nisur dy vite më parë një projekt, tek i cili besojmë, por duke iu mbajtur disa segmenteve të qarta. Të gjithë e dinim se do të na duhej pak kohë për të arritur te titulli kampion, sepse një skuadër fituese nuk ndërtohet menjëherë, prandaj Mançini të punojë i qetë.
Ai nuk rrezikon asgjë, përkundrazi është trajneri ideal për ne. Ndonëse pa dyshim që duke parë investimet e bëra, Champions-i është një detyrim. Grumbullimi në 'Apiano'? Ishte një vendim që e mori trajneri dhe stafi drejtues e mbështeti.
Unë jam i bindur se kjo ka qenë diçka pozitive, që mund të ndihmojë skuadrën, në pritje të Sampdorias, një duel, të cilin duhet ta fitojmë me çdo kusht".
Në lidhje me zërat e tjerë të mundshëm që shohin largimin e Mauro Ikardit, por edhe të një revolucioni tjetër në sezonin e ardhshëm, presidenti i Interit garanton: "Ikardi nuk preket dhe nuk do të ketë asnjë revolucion tjetër.
Ne duam të ndërtojmë një grup lojtarësh që në 2-3 vitet e ardhshme të kolaudojnë cilësitë e tyre me lojën që kërkon trajneri dhe kështu do të luftojmë për kampionatin dhe do të jemi protagonistë në Champions. Me këtë dua të them që përveç Ikardit, edhe Jovetiç, Ljajiç e deri te Nagatomo janë pjesë e projektit tonë dhe askush nuk do të largohet. Murinjo dhe Ronaldo në 'San Siro'? Do të jetë bukur për tifozët tanë.
Nëse Murinjo ka bërë historinë e këtij klubi, me Ronaldon dhe kompaninë që ai drejton jemi gati që të lidhim një bashkëpunim, gjithmonë nëse 'Fenomeni' do të jetë i disponueshëm", u shpreh Erik Tohir.
Përgatiti: JETON STAMOLLA