Tjetër duel kundër Kasijasit, Bufon: Nuk jemi portierë normalë
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Edhe pse mosha kalon, Xhanluixhi Bufon duket se nuk e ndien atë, sepse pavarësisht 38 viteve mbi shpatulla, portieri i Juventusit vazhdon të vendosë rekorde, si ai në kampionat, prej 973 minutash pa pësuar gol.
Gjithsesi, portieri dhe kapiteni i Kombëtares së Italisë nuk kërkon të kënaqet, por pret një udhëtim në Francë si protagonist, me përgatitjet që fillojnë pikërisht kundër Spanjës, një përsëritje e finales së Europianit 2012, ku "Furitë e kuqe" i shkatërruan "axurrët" 4-0.
Por, përveçse një tjetër Itali-Francë, do të jetë një tjetër duel mes dy nga "dorezat e arta" të dekadës së fundit, Xhanluixhi Bufonit dhe Iker Kasijasit, dy portierë që kanë shkruar historinë, dy "gardianë", të cilët nuk janë të lodhur nga betejat në fushën e lojës.
Por, përveçse kundërshtarë në fushë, Bufon dhe Kasijas janë dy kolegë që e vlerësojnë shumë njëri-tjetrin, por edhe dy miq të ngushtë, siç e kanë pranuar ata. Edhe kur futbolli i ka vënë përballë njëri-tjetrit, ata kurrë nuk e kanë humbur sportivitetin, përkundrazi bëjnë çmos që mos ta humbin atë dhe si dy kapitenë ta ushqejnë edhe te pjesa tjetër e skuadrës.
Prandaj, në pritje të kësaj përballjeje direkte mes tyre për të nëntën herë, numri 1 i Italisë është më se i lumtur: "Kasijas është si një shpirt binjak për mua?
Nuk është shumë e shpeshtë që të shohësh dy portierë, dy miq, që të përballen kaq shpesh me njëri-tjetrin. Kjo do të thotë se jemi me fat, por ndoshta kemi qenë edhe shumë të zgjuar për të zgjedhur një rol, i cili të lejon që të jesh më jetëgjatë në këtë sport, - përgjigjet duke qeshur Bufon.
- Por është gjithashtu fakt që unë dhe Ikeri nuk jemi dy futbollistë normalë. Sepse të qëndrosh kaq shumë në elitë, do të thotë që kemi bërë diçka më shumë sesa të tjerët për të qenë ende pjesë e këtij sporti, edhe në këtë moshë. Bufon në Itali respektohet më shumë se Kasijas në Spanjë?
Nuk e besoj këtë. Thjesht kur i mëson njerëzit, si në rastin e Ikerit, që të bëjë gjëra monstruoze, kur performanca jote bie pak, është normale që të kritikohesh.
Unë gjithmonë kam dashur të luaj në kombëtare për të dhënë dhe për të marrë diçka të madhe, por nëse trajneri im do të vendoste që të mos besonte më tek unë, nuk do ta bëja një problem. Spanja e fortë? Shumë e fortë, por mbi të gjitha do t'i jap dy këshilla Moratës: e para që të mos më shënojë dhe e dyta që të mos lërë Juventusin", përfundoi Bufon.
Përgatiti: JETON STAMOLLA