Mbledhje te Flamurtari, Behari: Reagoni, kështu nuk vazhdohet!
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Flamurtari ka zhvilluar dje analizën pas situatës së vështirë të krijuar që pas ndeshjes me Skënderbeun.
Ekipi është mbledhur nga drejtori i klubit, Ardi Behari, ndërsa prezent kanë qenë drejtuesit e stafit teknik me në krye trajnerin Ramadani.
Drejtori Ardi Behari është shprehur tejet i mërzitur nga kjo situatë, ndërsa kërkoi që ekipi të reagojë sa nuk është vonë. Ai u ka thënë lojtarëve dhe stafit teknik se ndeshja e luajtur në Korçë është e papranueshme dhe se gjithçka ndodhi ishte një turp për të gjithë. "Jemi në një situatë jo të mirë.
Ekipi rrezikon qëndrimin në Kategorinë Superiore dhe nuk falet asnjë gabim. Ndeshja me Skënderbeun ishte një turp për të gjithë. Shpërdoruat shumë dhe u shthurët në një mënyrë që s'e kuptojmë as ne çfarë ndodhi. Të gjithë janë të mërzitur. Administratori Idrizi po ashtu. Nëse keni ndonjë gjë na e thoni ta dimë.
Nuk dimë se çfarë të bëjmë dhe si të sillemi. Por ju them që të ndryshoni urgjentisht për shkak se rrezikojmë shumë. Nëse nuk bëhet kthesa në vazhdim dhe nëse ju nuk reagoni, do të ketë masa. Nuk mund të vazhdohet më kështu", u ka thënë Behari lojtarëve.
Trajneri
Ndërkohë, tekniku Zekerija Ramadani mësohet se ka marrë përsipër përgjegjësitë e tij dhe u ka kërkuar lojtarëve që të reagojnë.
"Unë mbaj përgjegjësitë e mia, pavarësisht se e kam bërë siç duhet detyrën dhe për këtë jam i ndërgjegjshëm. Po ashtu edhe ju gjatë stërvitjes u përgjigjeni pozitivisht detyrave, por s'e kuptoj çfarë keni që nuk jeni të qetë në fushë. Dua që të jeni të përgjegjshëm. Ju jeni profesionistë dhe i dini detyrat tuaja. Të gjithë ne presim kthesën. Jemi në një situatë të vështirë, ku me këto gabime po marrim veten në qafë dhe po hedhim hapa shumë të gabuar. Reflektoni sa nuk është vonë", është shprehur Ramadani, ndërkohë që mësohet se lojtarët kanë premtuar kthesën.
Përgatiti: E. Sika