Presidentët/ Gjici thumbon Takajn: Titullin e merr Partizani
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Takaj dhe Gjici janë presidentët e dy skuadrave të Kategorisë Superiore që kanë rivalizuar mes tyre në vitet e fundit, jo vetëm në fushën e lojës, por edhe me batuta dhe ngacmime mediatike.
Të pranishëm në ceremoninë e hedhjes së shortit për dy ndeshjet gjysmë- finale për Kupën e Shqipërisë në ambientet e FSHF-së, dy krerët e Kukësit dhe Skënderbeut janë thumbuar jo pak mes tyre, por gjithmonë nën sensin e humorit. Si në deklarata, ashtu edhe në batuta, kreu i korçarëve është i qartë dhe shumë i prerë.
"Nuk më shpërqendroni dot jo! Dua titullin", ishte batuta e Takajt në momentin e hyrjes për në sallën ku zhvillohen mbledhjet e Komitetit Ekzekutiv, por që në atë moment u shfrytëzua si ambienti për të shtruar një koktej nga FSHF pas ceremonisë. Në praninë edhe të zyrtarëve të federatës, sekretarit të përgjithshëm Ilir Shulku dhe shefit të Sektorit të Garave, apo përfaqësuesve të pranishëm të mediave ka pasur një trokitje gotash me verë, që është bërë edhe ajo objekt për batuta e humor.
"Nuk bën kjo verë jo, do të jetë shumë e lirë", e nis Takaj pa marrë ende verën në dorë. "Po ti provoje një herë or burrë! Kam besim që do të kenë verë të mirë këta të FSHF-së", përgjigjet Gjici që pyet punonjës të institucionit të futbollit:
"Është e juaja apo katering kjo? "Sponsorizim", ishte përgjigjja e përfaqë- suesve të FSHF-së. Pas trokitjes së gotave, Takaj nis me një batutë humbjen e garës nga Gjici dhe Kukësi në sezonet e shkuara.
"Kur të erdha në Kukës, më the 'dua titullin', ama në zyrë s'kishe vend për kupën. Kurse unë kam bërë aq shumë vend, sa nuk ndalem", shprehet Takaj.
"Ti se di çfarë projekti kishte Partizani. Kushedi sa vend ka. Pastaj, prapë e do titullin or burrë? Kur do të heqësh dorë?", përgjigjet presidenti i Kukësit.
"Nuk heq dorë deri kur të ma marrin, o Safet", shprehet Takaj. Dhe si për të mos e harruar asnjëherë praninë e mediave, ose më saktë një lloj vërtetësie të atyre që u thanë me të qeshur, mendon Gjici: "Duhet ta ngacmojmë nga pak njëri-tjetrin, apo jo? Kanë lezet edhe të tilla gjëra".
JA TË GJITHA BATUTAT
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe një nga gazetarët e "Supersport" u futën në sallën ku zhvillohen mbledhjet e Komitetit Ekzekutiv dhe në atë moment vjen presidenti Gjici që pyet, sa për batutë, aq edhe për të vënë në diskutim vërtetësinë e shortit:
"Çfarë po bëni aty nga pas ju (qesh)?
Se çfarë nuk ndodh para hedhjes së shortit", batutë që ka krijuar ilaritet në sallë mes të gjithë të pranishmëve.
PAS SHORTIT
Takaj: Kjo vera besoj do të jetë me çmim të lirë. Gjici: Po ti provoje një herë or burrë! Hajt gëzuar!
Çfarë vere është kjo, ku e merr federata?
"Sponsorizim", përgjigjet një nga punonjëset e FSHF-së. Takaj, Gjicit: Kur erdha në fillim në Kukës, o Safet, më thoshe "dua titullin, dua titullin"! Ama s'kishe asnjë vend për kupën. Kurse unë tani kam aq shumë vend dhe rrinë aq mirë atje në Korçë, sa nuk e ke idenë.
Gjici, Takajt: Kam parë projektin e Partizanit dhe e di sa vend kishin ata.
Ore po pse nuk e merr kupën ti?
Lufto, luaj dhe po e meritove, merre. Çoje edhe një kupë në Korçë. Takaj: Nuk e dua jo (qesh). Merre ti.
Gjici: Prit se unë kam punë një herë. Unë dua ta marr po të jesh ti në fund. Takaj: Rri aman se kam hall se do më thuash "më prit në finale, më prit në finale", e pastaj do të më vijë Sinani e jo ti (qesh).
Gjici: Asaj nuk i dihet. Nuk ka filma. Është e vështirë.
Takaj, Gjicit: Ore nuk më shpërqendron dot ti jo! As ti dhe as rivalët e mi. E dinë të gjithë çfarë dua unë. Le që edhe kupën do ta provojmë. Nuk do flemë jo, po mos kujto se do rrëshqasim në kampionat, se e ke kot.
Gjici, Takajt: Sivjet harroje ti! Do ta marrë Partizani. Ore, po nuk u kënaqe ti? Do prapë kampionat? Kur do të ndalesh? Takaj: Nuk kënaqem jo. Le të bëhen 15 rresht.
Gjici: Sa ore, sa? Takaj: O Safet, nuk ndalem jo! Deri kur të ma marrin, nuk heq dorë. Deri kur të ma marrin, këtë punë kam unë.
Gjici, Takajt: Rri se del nesër në media kjo që po themi. Po ne shaka po bëjmë (qesh). Si nuk more asnjë me vete në Europë? Merrje edhe gazetarë se nuk të shkonte shumë. Të isha unë, i kisha harxhuar rreth 500 mijë euro.
Takaj: Premto ti premto, se e di që nuk do të jesh prandaj. Kurse unë nuk premtoj gjë se e di që do të shkoj. Dhe nuk them gjëra kot.
Gjici: Këtë vit e ke kot ti! Do të shkojë Partizani.
Takaj, Shulkut: A do të na japësh leje të largohemi? Gjici duke u larguar: Bëjmë shaka. Duhen edhe shaka të tilla me Takajn. Kanë lezet edhe ngacmime të tilla, apo jo?
Përgatiti: OLSI TUJANI