Di Françesko vjen te Milani me dy dhurata
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Euzebio Di Françesko i ka të gjithë letrat në rregull për të qenë trajneri i ardhshëm i Milanit.
Tekniku aktual i Sasuolos, përveç asaj që ka treguar deri më tani me klubin e tij, mund të fitojë garën për stolin kuqezi, pasi mund të mos prezantohet i vetëm në "Milanello".
"Asët nën mëngë"
Mediat italiane shikojnë si mjaft solide kandidaturën e Di Françeskos, pasi janë në dijeni të një prapaskene. Mësohet se Sime Vrsaljko (24 vjeç) dhe Nikola Sansone (24 vjeç), dy lojtarë, të cilët militojnë aktualisht te Sasuolo, janë gati që të ndjekin trajnerin e tyre nëse një ditë do të shkonte në Milano për të stërvitur Milanin.
Kroati është njëri prej mbrojtësve të krahut të djathtë më të mirë të Serisë A italiane në vitet e fundit dhe Milani do të ishte i lumtur nëse do ta afronte pranë gjirit të vet. Kroati, i cili ka kërkesa edhe nga skuadra të tjera, do të ishte i kënaqur që të ndiqte teknikun në Milano.
E njëjta gjë vlen edhe për Sansonen. Lojtari (aktivizohet si sulmues krahu) i lindur në Mynih të Gjermanisë ka qenë autor i disa sezoneve mjaft të mira që prej momentit që nisi të punonte me teknikun aktual të Sasuolos. Në katedër - Eusebio Di Françesko ishte dje protagonist i një leksioni të mbajtur në një universitet të qytetit të lindjes, Peskarës.
Në fjalën e tij, 46- vjeçari tregoi edhe një herë arsyen përse i pëlqen aq shumë Silvio Berluskonit. "4-3-3 mund të jetë 5-3-2 ose 4-4-2. Këto janë vetëm numra sepse futbolli është dinamik dhe ekipet mund të mbrohen edhe me gjashtë ose katër lojtarë.
Pra mund të mbrohen në vartësi të situatës. Unë mendoj se janë lojtarët ata që bëjnë skemën. Mua më pëlqen loja sulmuese. Gjithmonë u them lojtarëve të mi të krahut që të synojnë portën jo flamurin e këndit. Duhet luajtur shpejt topi, pasi vetëm kështu mund të befasosh rivalët", tha Di Françesko, i cili tregoi se kishte vizion të njëjtë me Berluskonin sa i përket futbollit.
Përgatiti: ALTIN VORPSI
