Tirana merr frymë, FIFA i jep afro 2 muaj kohë për borxhet
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana merr frymë prej borxheve. Me ndërmjetësinë e FSHF-së, klubi bardheblu ka arritur një pakt me FIFA-n, që i jep të drejtën që deri në fundin e muajit prill të shlyejë një pjesë të borxheve më imediate.
Ndërkombëtarët kanë shtyrë afatin e likuidimeve të detyrimeve që rrezikojnë të penalizojnë kryeqytetasit, duke i dhënë disa ditë më shumë kohë. Kjo i heq klubit "lakun nga fyti", pasi, sikundër dihet, fillimi i muajit mars ishte vendimtar për të paguar për gjyqet e humbura dhe rrjedhimisht priteshin edhe penalitete në pikë.
Por duket se kjo nuk do të ndodhë. Drejtuesit e Tiranës dhe përfaqësuesit ligjorë të klubit i kanë paraprirë të keqes, duke u futur në negociata me FIFAn, por edhe me vetë ishlojtarët, të cilët duhet të shlyhen.
Burime në FSHF zbulojnë për "Panorama Sport" se deri në fundin e muajit prill, 24 herë kampionëve të vendit u është dhënë kohë që të paguajnë borxhet më problematike. Ndërkohë, të njëjtën gjë e konfirmojnë edhe burime pranë klubit bardheblu, që sqarojnë se pa ardhur "ultimatumi" i radhës, gjithçka do të zgjidhet.
Mes borxheve të akumuluara, detyrimeve të prapambetura me lojtarët e larguar dhe ato me administratën e tatimeve, bilanci i klubit të Tiranës është me një gropë prej 1.3 milionë dollarësh. Më të fundit që krijojnë presion janë çështjet: Panathinaikos, Bushiç, Pejiç, Ndikumana dhe Ristevski.
Në total, fatura për këto gjyqe shkon në 232 mijë euro. Të shumtë janë futbollistët e huaj që janë larguar pa marrë shumën e premtuar dhe rrjedhimisht u janë drejtuar zyrave të FIFA. Qeveria europiane e futbollit është treguar strikte në sezonet e fundit me kushtet e "fair play"-t financiar, duke mos kursyer as klube të Superiores.
Precedenti Flamurtari është më i fundit, por duket se Tirana ka shmangur përsëritjen e historinë. Të paktën edhe për pak kohë, duke shtyrë afatet për shlyerjen e detyrimeve. Kujtojmë që kur klubi u kthye në sh.a, u arrit një marrëveshje që përcaktonte detyrimet që do të paguheshin nga aksionerët, përfshi këtu edhe bashkinë. Pjesa më e madhe e borxheve është e trashëguar nga koha ku ekipi drejtohej nga pushteti lokal, por deri më tani pakti nuk është zbatuar.