e mërkurë, 18 nëntor 2026
Shqiperia.comPortali shqiptar
Sporti

Tirana, lëvizjet e pritshme, ja revolucioni i verës

Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Tirana, lëvizjet e pritshme, ja revolucioni i verës

Revolucioni te Tirana gjatë verës duket i pa shmangshëm. Dhe mjafton të shohësh formacionin anti-Kukës për ta përforcuar këtë ide. tiranaNë fakt, ndryshimet e shumta u paralajmëruan edhe nga vetë Refik Halili pak ditë më parë, i cili e tha hapur se në fund të sezonit do të ketë largime.

Misioni "Europë" vendos të ardhmen e gjithsecilit. Gazeta, nëpërmjet një vëzhgimi të 27 javëve të luajtura deri më tani, bëri një bilanc të lojtarëve që janë drejt konfirmimit, atyre që janë pezull dhe të tjerëve që mund të jenë në ikje. Ky hulumtim u bazua te minutazhi, performanca, kontrata, apo edhe ofertat që mund të vijnë në merkato. Por, ndikim do të kenë edhe raportet lojtarë-staf apo lojtarë- drejtues.

I pari që ka fituar besimin e drejtuesve është Edvan Bakaj, i cili ka dëshmuar rritje me paraqitjen e tij. Shanse qëndrimi ka edhe Ilir Avdyli, i cili erdhi vetëm në janar. Ndërkohë, i padiskutueshëm është qëndrimi i Muçës, Kërçikut, Karabecit, Malajt, Teqjes apo Hoxhallarit. Por në këtë listë bëjnë pjesë edhe elementë të perspektivës si Deliaj, Peçi apo Halili. Megjithatë, nuk përjashtohen shanset e një "divorci" nëse për këta emra vjen ndonjë ofertë joshëse.

Në dyshim është Lika dhe jo prej performancës, pasi në javët e fundit ka qenë ndër më të mirët në fushë, por ndryshimi i ambientit apo ndonjë ofertë "tunduese" mund të sjellë firo. Për Vucaj ky nuk ka qenë sezoni më i mirë, pubalgjia e ka penguar jo pak mesfushorin që të tregojë vlerat e veta dhe ndoshta palët mund të ulen për të rishikuar kontratën.

Yjet në dyshim janë Fukui, Karan dhe Bakaj. Ofertat ndaj tyre nuk do të mungojnë me fundin e këtij sezoni dhe mbi të gjitha fakti që u mbaron kontrata i përfshin në listën e "pikëpyetjeve". Vlen për t'u parë edhe e ardhmja e Papës dhe Sorrës. I pari është zgjedhje nga stoli, ndërsa i dyti nuk ka luajtur asnjë minutë. Në dyshim është Dritan Smajli.

Pas anulimit të "divorcit", mbetet për t'u parë e ardhmja e tij në fund të sezonit. Largim i sigurt është Aleks Uillian, një blerje e dështuar deri më tani. S'ka asnjë minutë me ekipin e parë, ndërkohë vetë Ilir Daja deklaroi se nuk do t'i vijë kurrë dita që të debutojë në një ndeshje zyrtare.

Edhe Endrit Idrizaj mund të jetë në këtë listë. Lojtari i linjës së majtë do tentojë ndoshta që të gjejë një ekip ku do të ketë shanse aktivizimi. Ronald Gërçaliu nuk ka pasur ndonjë minutazh të kënaqshëm, madje vetë paralajmëroi largimin drejt Austrisë. Ndryshe qëndron situata me kapitenin Ervin Bulku, i cili është bërë pjesë e stafit të De Biazit (edhe pse jo ende zyrtarisht).

Në fundin e sezonit, ai mund t'i japë fund futbollit të luajtur dhe ndoshta në të ardhmen mund ta shohim me ndonjë post në klubin 24 herë kampion. Por ky është një bilanc vetëm për 3 fazat e para, pasi në 9 ndeshjet e mbetura situata dhe preferencat mund të ndryshojnë dhe të konfirmuar apo ata në dyshim, mund të kalojnë te lista në ikje, apo e kundërta.

Përgatiti: ADELA MERKO