Ndryshimet në rregulloren e futbollit, ja propozimet e Arsen Hoxhës për arbitrat
Në këtë seksion: Sporti · 8 artikuj ↓
Ish-shefi i gjyqtarëve në FSHF, Arsen Hoxha, ka qenë një ndër propozuesit e parë për ndryshime në rregulloren e futbollit, sidomos sa u përket vendimeve delikate që kanë të bëjnë me gjyqtarët, siç është ai i rastit "gol ose jo gol"...
Në një intervistë për "Panorama Sport" Hoxha thotë se armiku kryesor i këtyre ndryshimeve ishte ish-presidenti i FIFA-s, Sep Blater. Ndërkohë ai vë në dukje edhe indiferencën e FSHF-së kur e pati shpalosur këtë projekt...
Në vitin 2008, ju i propozuat FIFA-s dhe UEFA-s të bënte disa ndryshime në Rregulloren e Lojës së Futbollit. Cili ishte qëllimi i kë- tyre ndryshimeve?
Për këdo që i ka kushtuar kohën e duhur studimit dhe interpretimit të ligjeve të lojës dhe njeh praktikën e arbitrimit, nuk e ka të vështirë të kuptojë se ligjet ekzistuese të rregullores së futbollit nuk i plotësojnë arbitrit kushtet e nevojshme që objektiviteti i tij në vendimmarrje të jetë në atë shkallë që sportdashësit, drejtuesit dhe futbollistët e dëshirojnë. Në vitin 1896, kur u hartua rregullorja e parë për arbitrat, nuk ekzistonin mjetet teknike që mund t'i viheshin në dispozicion atyre në momentet kritike të vendimmarrjes. Kështu, autoriteti i arbitrit, edhe pse ndikonte direkt në rezultatin e lojës, u bë i pranueshëm nga të gjithë. Arbitri u pranua si një e keqe e domosdoshme. Por sot, kur pothuaj të gjitha shkencat dhe sportet mbështeten në konsulencën kompjuterike apo televizive dhe psikologjia e përgjithshme shoqërore ka avancuar në mënyrë të tillë që toleranca, mirëkuptimi apo konsultimi janë të mirëpritura, është e pakuptimtë që të ruhen si relike rregulla të vendosura 120 vjet më parë. Për fat të keq, kundërshtari më i madh i përdorimit të teknologjisë së përparuar ka qenë vetë ish-presidenti i FIFA-s, Blater.
Përderisa ju e dinit qëndrimin e Blaterit, pse morët përsipër të bënit një propozim të tillë, kur si thotë populli, ai do të shkonte "në vesh të shurdhër"?
Gjithmonë kam qenë i bindur se qëndrimi i Blaterit ndaj këtij problemi ka qenë i gabuar. Ai i ka qëndruar besnik mendimit se arbitri duhet që të vazhdojë në mënyrën tradicionale, duke i pranuar gabimet e tij si të natyrës njerëzore. Por, në fakt, ky koncept është shprehje e një spontaniteti klasik që, në njëfarë mënyre, zyrtarizon edhe mundësinë që fitoren e pamerituar të tajapë si "dhuratë" arbitri. Pra, mund të shpallesh edhe kampion bote nga gabimi i arbitrit. Por kjo bie ndesh me një nga parimet bazë dhe pikërisht me atë të drejtësisë në sport. Propozimi im synonte të ndryshonte mënyrën e trajtimit të problemeve më delikate të lojës së futbollit dhe pikërisht ato që kanë të bëjnë me gol ose jo gol. Në një intervistë që unë kam dhënë në gazetën "Lajmi", më datë 26 shtator 2008, me titullin "Ndryshimet që duhet të bëhen në Rregulloren e FIFA-s", kam thënë se: "Unë jam i vetëdijshëm se ndryshime të tilla janë vështirë për t'u pranuar me lehtësi kur në mes është stereotipi i vjetër më se 112-vjeçar apo konservatorizmi i individëve (Blaterit) që rregullat e vjetra i konsiderojnë si të shenjta, duke mos marrë kështu në konsideratë dialektikën e ndryshimeve kohore". Gjithashtu, në po atë intervistë, jam shprehur se: "Unë shpresoj se do të gjej përkrahës në pikëpamjet e mia. Por, nëse vendimmarrësit nuk janë të gatshëm t'i mirëpresin këto ndryshime së shpejti, në një të ardhme jo shumë të largët do t'i pranojnë patjetër, sepse të gjithë janë të interesuar për një futboll të pastër". Vetë praktika tregoi se presidenti i ri i FIFAs, krejt ndryshe nga Blater, i hapi rrugë përdorimit të teknologjisë. Koha vërtetoi se gjykimi im ishte i drejtë.
Ju sapo thatë se do të gjenit përkrahës të propozimeve tuaja. Çfarë hapash ndërmorët për sigurimin e tyre?
Duke qenë se pengesa kryesore ishte vetë presidenti FIFA-s, veç argumenteve që i dërgova personalisht atij, si dhe presidentit të UEFA-s, propozimin tim të zbërthyer në detaje ua dërgova edhe katër federatave pjesëtare të përhershme të Internacional Bordit, i cili është organi i vetëm që ka kompetencë të bëjë ndryshime në rregulloren e futbollit si Anglisë, Skocisë, Uellsit, Irlandës, si dhe 8 federatave të tjera që disa prej tyre përfaqësojnë FIFA-n në këtë komision apo që kanë futbollin më të përparuar në botë si: Spanja, Gjermania, Franca, Italia, Brazili, Argjentina, USA, Rusia, si dhe federatës sonë. Duke argumentuar me shembuj se arbitri ka nevojë për më shumë asistencë në vendimmarrjet e tij për probleme delikate për fatin e lojës, u përpoqa të influencoj sadopak te zyrtarët e lartë të futbollit botëror dhe elitës së propagandës sportive që të jenë të gatshëm të mirëpresin disa plotësime logjike që duhet t'u bëhen ligjeve të lojës së futbollit kur ato: 1- Nuk cenojnë parimet bazë mbi të cilat është ndërtuar rregullorja e lojës së futbollit; 2- Rrisin në një shkallë shumë më të lartë objektivitetin e arbitrit në marrjen e vendimeve që janë vendimtare për fatin e lojës; 3- Janë në përshtatje të plotë me stadet e reja të zhvillimit shoqëror, sportiv, teknik dhe komercial. Dua të theksoj se të drejtën për të bërë përmirësime në rregullat e lojës së futbollit nuk e kanë individët, por federatat përkatëse të futbollit. Pikërisht ishte kjo arsyeja që unë u përpoqa t'i bindja që ato të bëheshin propozues, ose së paku t'i mirëprisnin propozimet nëse ndonjëra prej tyre i shtronte për diskutim.
A morët mbështetje prej tyre?
Me përjashtim të Federatës Shqiptare, të gjitha federatat e tjera më kthyen përgjigje. Ato ishin inkurajuese, por disa prej tyre nuk kishin besim se do të miratoheshin, duke shpjeguar se drejtuesit e lartë të FIFA-s ishin kundër përdorimit të teknologjisë. Përgjigjen më pozitive e mora nga Federata Angleze e Futbollit, të cilët më thanë: "Çështja e përdorimit të teknologjisë është kundërshtuar fuqishëm nga drejtuesit e FIFA-s me pretekstin se cenon autoritetin e arbitrit. Por ne jemi të bindur se ky problem do të diskutohet në vazhdimësi dhe ne do ta përkrahim propozimin tuaj të përparuar". Këtu është vendi të theksoj se unë nuk jam i vetmi person që e kam bërë këtë propozim. E veçanta e propozimit tim qëndron në faktin se unë u përpoqa të sensibilizoja drejtuesit e federatave më të fuqishme të botës jo vetëm duke paraqitur argumentet e ndryshimeve të mundshme, por duke i shoqëruar ato edhe me kuadrin e plotë ligjor, si dhe mekanizmin e funksionimit.
Në aspektin teknik, çfarë konkretisht përmblidhte propozimi juaj?
Unë kam propozuar që ligjit nr. 6, që bën fjalë për Asistentët e Arbitrit, t'i bëhen disa plotësime të rëndë- sishme sepse arbitrat e sotëm kanë nevojë për asistentë të pakontestueshëm, me liri dhe mundësi më të mëdha se asistentët aktualë. Ata duhet të kenë në përdorim të njëjtat mjete teknike që kanë edhe specialistët e kritikës ndaj tyre dhe do të quhen Asistentët e Arbitrit në Monitor. Nga dy nene që aktualisht ka ligji nr. 6, unë kam propozuar edhe tre të tjerë, si dhe trembëdhjetë vendime udhëzuese. Konkretisht kam propozuar që në ndeshje të rëndësisë së veçantë në ndihmë të arbitrit mund të caktohet edhe një ose dhe dy asistentë të tjerë. Vendndodhja e tyre do të jetë në një ambient special, të pajisur me sistem monitorimi. Ata mund të jenë ish-arbitra të FIFA-s ose aktual dhe do të quhen Asistentët e Arbitrit në Monitor. Prej tyre kërkohet që të jenë gjithmonë të gatshëm që të marrin përgjegjësi direkte dhe t'i japin arbitrit shpjegime përfundimtare në të gjitha ato raste kur: a- Arbitri është i dyshimtë në vendimin që do të marrë. b- Arbitri ka marrë një vendim të gabuar, i cili ndikon direkt në rezultatin e lojës. Sipas propozimit tim, asistenti në monitor, nëpërmjet sistemit elektronik ndërlidhës (mikrofon-kufje), do të ndërhyjë vetëm në këto raste: 1- Kur topi kalon vijën fundore; 2- Kur është shënuar gol nga një pozicion jashtë loje; 3- Kur kemi të bëjmë me një 11-metërsh të dhënë gabim apo që duhet dhënë; 4- Në akte të dhunshme, të cilat nuk janë dalluar nga arbitrat në fushë. Pra, siç shihet, ndërhyrja e Asistentit në Monitor është shumë e kufizuar. Nga vëzhgimet e ndryshme që unë kam bërë, më rezulton se në 60% të ndeshjeve atij nuk i jepet rasti të ndërhyjë. Janë të rralla ndeshjet që atij do t'i duhet të ndërhyjë. Maksimumi në 2-3 raste të cilat nuk marrin më shumë se 20-30 sekonda, por futbollit do t'i sjellin atë që aktualisht sportdashësit dhe ushtruesit dëshirojnë: objektivitetin.
Përgatiti: ENIAR IBRO